Azovstal – një fabrikë masive prej katër miljesh katrore – është bërë bastioni i fundit i rezistencës ukrainase në Mariupol.
Një komandant detar në bastion lëshoi një video-mesazh në orët e para të mëngjesit të së mërkurës duke thënë se njerëzve të tij mund t’u kenë mbetur vetëm disa orë.
Serhiy Volyna tha se trupat e tij nuk do të dorëzoheshin, por ai u lut për ndihmë ndërkombëtare për 500 ushtarët e plagosur dhe qindra gra dhe fëmijë që ai tha se ishin fshehur me ta në fabrikën e çelikut.
Majori Volyna është komandant i Brigadës së 36-të të Marinës. Javën e kaluar Rusia tha se 1026 ushtarë nga ajo njësi, përfshirë 162 oficerë, ishin dorëzuar në Mariupol.
Britanikët Aiden Aslin dhe Shaun Pinner, të cilët kishin mbrojtur Mariupolin dhe u kapën nga forcat ruse javën e kaluar, ishin anëtarë të brigadës.
Njësia tjetër në fabrikën e çelikut është Brigada Azov, e quajtur sipas Detit Azov që lidh Mariupolin me pjesën tjetër të Detit të Zi.
Azov është një milici e lidhur me nacionalistët e ekstremit të djathtë, e cila më vonë u përfshi në Gardën Kombëtare të Ukrainës. Numri i tyre u vlerësua në rreth 900, transmeton BBC.
Marinsat u bashkuan me Azov në Mariupol javën e kaluar. Është e paqartë se sa trupa ukrainase kanë mbetur në uzinë.
Të martën, Azov postoi në Telegram: “Ne do të luftojmë, do të përdorim çdo gëzhojë që na mbetet, por i bëjmë thirrje atdheut të shpëtojë civilët, të plagosurit dhe të marrë trupat”.