Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është zotuar se progresi në arritjen e 13 marrëveshjeve me Shqipërinë do të shoqërohet me cilësi në zbatimin e tyre. Ai në Elbasan të Shqipërisë, ku u mbajt mbledhja e përbashkët e dy qeverive, tha se bashkëpunimi i ndërsjellë do t’i forcojë shqiptarët në dy vendet, por edhe rajon.
Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kreu i ekzekutivit kosovar tha se marrëveshjet e arritura sot do të përkthehen në veprime konkrete.
“Përmes marrëveshjeve të nënshkruara sot, gjithsej 13 dhe me zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese do të rrisim edhe më shumë bashkëpunimin për drejtësi, barazi zhvillim dhe mirëqenie për shqiptarët në dy anët e kufirit dhe gjithë rajonin. Progresi në numrin e marrëveshjeve do të shoqërohet me cilësi në zbatim pasi janë me rëndësi ekonomike kulturore dhe po ashtu historike. Bashkëpunimi mes dy qeverive tona të forcojë shtetet tona dhe do të jetësojë ëndrrën e qytetarëve për të jetuar krenar. Përtej këtyre marrëveshjet janë në horizontin e intefrimeve më BE i cili është fati ynë. Sa më të integruar që bëhemi aq më të mirë do të jetë për qytetarët dhe aq më të bindur edhe inkurajuar do të jenë ata për të ndërtuar jetën në vendin e tyre. Marrëveshjet si këto sot do të na mundësojnë që vizionet dhe programet e dy qeverive t’i përkthejmë në veprime konkrete që ato të jenë më efektive dhe frytëdhenëse”, tha ai.
Duke folur për mungesën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në të kaluarën, Kurti tha se veçse do t’i inkurajojnë të punojnë më shumë për implementimin e tyre.
“Nuk e vë në dyshim se edhe pararendësit e mi kanë qenë të kënaqur me mbledhjet që janë mbajtur dhe nuk dyshoj në qëllimet e mira. Po ashtu janë evidente që ka pasur ngecje, por të gjitha ngecjet dhe vështirësitë neve veçse na entuziazmojnë dhe na shtojnë zellin për t’i tejkaluar ato. Kurdo që konstatoni lëshime dhe defekte kjo është një thirrje për të punuar më shumë, jo për dekurajuar se nuk qenka e mundur, apo sepse dështuam. Përkundrazi unë besoj që kjo mbledhje është e shtata me radhë, por njëjtën kohë është mbledhja me një koordinator të sekretariatit të përbashkët”, shtoi Kurti.
Dy qeveritë shqiptare, në mbledhjen e shtatë me radhë nënshkruan 13 marrëveshje ndërmjet veti. Deri më tani dy ekzekutivet kanë nënshkruar rreth 150 marrëveshje, memorandme bashkëpunimi dhe protokolle.