Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin me zyrtarët komunalë për Komunitete dhe Kthim u ka bërë thirrje komuniteteve joshumicë që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë. Kjo siç tha ai, do të mundësonte planifikim më të mirë të investimeve.
Në takimin që pati sot (e martë) me zyrtarët komunalë për komunitete, Kurti tha se regjistrimi i popullsisë është një mundësi dhe obligim i të gjithëve pa dallim.
Pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve në regjistrimin e popullsisë, sipas kryeministrit do të shërbejë për orientim sa më të drejtë të investimeve.
“Për të qenë sa më afër qytetarëve prioritet i kemi dhënë edhe vizitave në teren ishte kënaqësi për mua që në javën e kaluar isha në qendrën ditore për fëmijët në situatë rruge kryesisht nga komunitetet… Një nga mundësitë si dhe obligimet që ofrohet tani është regjistrimi i popullsisë i cili planifikohet të fillojë më 1 nëntor. Kjo është një mundësi por edhe obligim i rëndësishëm për të pasqyruar komunitetet e Kosovës ashtu siç ato duhet. Ne kemi hapur 498 vende pune të rezervuara për komunitete si regjistrues dhe mbikëqyrës, po ashtu kemi ndarë më shumë 100 mijë euro për organizata joqeveritare për komunitete. Kjo thirrje është e hapur për aplikime deri të hënën. Çdo shtëpi, çdo banesë ka të drejtë të regjistrohet me përkasin e vet etnike… Për shpërndarjen e këtij informacioni ne kemi nevojë që ju të informoni bashkëqytetarët në komunën tuaj se përse është e rëndësishme të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë… Me informacionet që do të mblidhen nga regjistrimi ne do të kemi mundësinë si shtet të planifikojmë siç duhet për nevoja reale të popullsisë tonë, të dimë se sa shkolla na duhen e ku të investojmë në ekonomi”, tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit tregoi disa nga hapat që si qeveri kanë marrë për të ndihmuar komunitetet në vend.
“Qeveria më e mirë është ajo e cila është më afër popullit, për të qenë sa më afër popullit na duhen struktura dhe individë të angazhuar në nivel lokal… Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka ndarë 1 milionë euro për projekte infrastrukturore, veçanërisht për komunitete dhe është duke punuar në projekte të rrugëve trotuareve dhe ndriçimit, Deçan, Ferizaj, Novobërdë, Pejë dhe Prizren… Kemi parë dhe zhvillime të tjera pozitive në vend komunash sikurse para një viti njohja e gjuhës rome si gjuhë në përdorim në Prizren, ashtu siç është në Graçanicë, tani komuna veriore iu ka bashkuar sesionit të komunave të Kosovës, ndërkaq Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë zotuar që t’i bashkohen… Për bashkim ndërmjet komunave për të mirën e komuniteteve kemi si shembull linjën e re të autobusëve nga Prishtina në Kishnicë, linjë e cila u hap dje, kjo linjë u mundëson studentëve të udhëtojnë më një biletë”, vijoi Kurti.
Regjistrimi i popullsisë pritet të fillojë më 1 nëntor.