Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka lavdëruar Administratën Tatimore të Kosovës për inkasimin dhe rritjen e të hyrave.
Në ditën e dytë të punëtorisë ndërkombëtare që po organizohet në Kosovë për përmirësimin e menaxhimit të borxhit tatimor, Kurti tha se në periudhën janar-shtator të këtij viti, janë inkasuar 542 milionë euro tatime, të cilat sipas tij janë të hyra rekord.
“ATK-ja ka përmirësuar inkasimin e të hyrave. Vetëm gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2022 janë inkasuar 542.8 milionë euro tatime që paraqesin të hyra rekord. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kemi rritje prej 95.8 milionë euro apo 21.4 për qind. Ndërsa në krahasim me planin tonë, kemi tejkalim të tij për 33.9 milionë euro apo 6.7 për qind. Një ndër reformat më të kryesore është ajo për konsolidimin e funksionit të mbledhjes së borxheve, e cila ka ngritur cilësinë e menaxhimit të borxheve tatimore”, tha ai.
Ai tregoi edhe arsyet pse janë rritur të hyrat e ATK-së.
“Kjo performancë pozitive është rritje e disiplinës në Administratën Tatimore dhe numrit të inspektimeve në njërën anë dhe rritjes së asaj që literatura e njeh si morali tatimor në anën tjetër, apo motivimi për të paguar taksa nga ana e qytetarëve. Kur qytetarët dhe bizneset e shohin se institucionet nuk janë të korruptuara dhe nuk po keqpërdorin dhe po e ruajnë paranë publike, e shpenzojnë me kujdes dhe plan, ata janë më të gatshëm të paguajnë taksa”, deklaroi kryeministri Kurti.
Pjesë e kësaj punëtorie ishte edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili tha se trendi i rritjes së të hyrave të ATK-së, po vazhdon vit pas viti.
“Vitin që lamë pas ka pasur rritje të të hyrave prej mbi 28 për qind, krahasuar me vitin paraprak. Disa mund të thonë se viti 2020, ishte vit i pandemisë dhe i vështirë, megjithatë mund t’iu them se trendi ka vazhduar. Për nëntë mujorin e parë të këtij viti rritja e të hyrave shënon 21.4 për qind në raport me vitin 2021. Përveç rritjes së të hyrave, ATK-ja ka shënuar progres edhe sa i përket reformës në funksionin e mbledhjes së borxheve. Sigurisht me inicimin e kësaj reforme kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar”, tha Murati.
Ndërkaq, drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj tha se kanë bërë shumë reforma dhe kjo ka rritur performancën e ATK-së.
“Rritja e të hyrave nuk janë indikator i vetëm që tregojnë performancën e mirë të Administratës Tatimore të Kosovës. Ne kemi bërë shumë reforma, duke filluar me reformimin e funksionit të rimburësimeve, reformimit të funksionit të menaxhimit të rreziqeve të përmbushjes tatimore. Pastaj rritjes e shërbimeve digjitale për tatimpaguesit, si dhe reformën kryesore që ka të bëjë me menaxhimin me mbledhjen e borxheve”, theksoi Murtezaj.
Nga ana tjetër, përkrahje institucioneve vendore iu ofroi drejtoresha e Qendrës së Ekselencës Financiare (CEF), Jana Repanska.
“CF është e përkushtuar të mbështesë zyrtarët publikë, juve, ekipin tuaj, institucionin tuaj në mënyrë që të komunikoni dhe të mësoni nga njëri-tjetri, dhe më pas të veproni. CF është një organizatë e mësimit, një qendër njohurish. Por, çfarë do të thotë kjo? Është një institucion që është në gjendje të përvetësojë njohuri të reja, t’i ndajë ato brenda dhe gjithashtu t’i transferojë ato jashtë. Ne punojmë me ju për t’u bërë gjithashtu organizatë e mësimit dhe qendër e njohurive”, theksoi ajo.
Kjo punëtori ndërkombëtare po organizohen për herë të parë në Kosovë nga CEF Qendra e Ekselencës Financiare në Slloveni, nё bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Administratën Tatimore tё Kosovës dhe Administratën Tatimore tё Holandës.