Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti komentoi sot dakordimin për deklaratën për personat e zhdukur, për të cilën është diskutuar në takimin e së martës mes kryenegociatorit të Kosovës dhe atij të Serbisë në Bruksel.
Lidhur me këtë, kryeministri Kurti tha se termi në anglisht “Forcibly disappeared” apo persona të zhdukur me dhunë ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes së dakorduar.
Kryeministri konfirmoi që gjatë këtij muaji do të zhvillohet një takim i nivelit të lartë në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Këto deklarata shefi i ekzekutivit i bëri pas pjesëmarrjes në konferencën “Strategjia e e-Qeverisjes në funksion të përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike”, e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Formulimi i saktë në anglisht është forcibly disappeared, pra do të thotë ata që janë të zhdukur me dhunë dhe kështu është termi, i cili është dakorduar dhe ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes. Pra, edhe atëherë kur do të deklarohet do të thuhet personat e pagjetur të zhdukur që mungojnë gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukurit me dhunë. Pra, forcibly disappeared është shprehja në anglisht, e cila tashmë është dakorduar në Bruksel”, tha ai.
Sa i takon draftit të statusit të Asociacionit, kryeministri Kurti deklaroi se fillimisht do t’i analizojnë rezultatet e takimit të zhvilluar në Bruksel, më 4 prill. Ai tha se më pastaj do të përcaktojnë një ecje përpara për muajin prill, brenda të cilit do të ketë edhe një takim të nivelit të lartë.
“Ne do të analizojmë më zëvendëskryeministrin rezultatet nga takimi i zhvilluar në Bruksel më 4 prill dhe mandej do të përcaktojmë një ecje përpara për muajin prill brenda të cilit do të ketë edhe një takim të nivelit të lartë. Mirëpo, edhe njëherë po e theksoj duhet të zbatohet e gjithë marrëveshjes dhe në kuadër të marrëveshjes kemi një nen i 10 dhe është për zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme, por si një çështje urgjente në aneksin e zbatimit që u dakordua në Ohër parashihet pikërisht çështja e të pagjeturve”, u shpreh Kurti.
E kur kryeministri Kurti u pyet për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, i cili ka nisur këtë të hënë, nuk u deklarua me arsyetimin se duhet të shkojë në seancën e Kuvendit.
“Më falni se duhet me shkua direkt në seancë”, u përgjigj Kurti.
Ndryshe, shefi i ekipit negociator të Kosovës për dialog me Serbinë, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviq nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak të martën kanë zhvilluar takimin e radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.