Kryeministri Albin Kurti të enjten do të qëndrojë në Shqipëri, ku pritet të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Tiranë.
Ky lajm u bë i ditur pas takimit që Kurti kishte me ambasadorin shqiptar, Qemajl Minxhozi.
Sipas komunikatës së Qeverisë, në takim u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, që sipas ambasadorit Minxhozi, është përmirësuar shumë përgjatë dy muajve të Qeverisë Kurti 2.
“Asnjë qeveri, në periudha më të gjata kohore, nuk ka bërë më shumë sesa që keni bërë ju gjatë këtyre dy muajve për përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Minxhozi, duke përmendur edhe tri vendimet që do të kalojnë sot në mbledhjen e Qeverisë.
Kryeministri Kurti shprehu interesimin dhe gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe që investimet e jashtme që po bëhen në Shqipëri të vazhdojnë edhe në Kosovë.
Ambasadori Minxhozi dhe kryeministri Kurti biseduan edhe rreth përgatitjeve për Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Tiranë, të enjten, 10 qershor, e ku do të marrë pjesë edhe kryeministri Kurti.