Bashkëpunimi aktual ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ishte në qendër të takimit ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport.
Kryeministri Kurti dhe ambasadori Davenport, siç informoi Qeveria, folën për çështje aktuale dhe për fushat ku OSBE-ja mbështet Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
“U theksua angazhimi i përbashkët për parandalimin e dhunës në baza gjinore ndaj grave dhe vajzave. U bisedua edhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në komunat veriore të Republikës së Kosovës”, u bë e ditur në komunikatë.
Po ashtu, u vlerësua përkushtimi për forcimin e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve Zyrtare, nëpërmjet themelimit të Njësisë së Përkthimit dhe Harmonizimit, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.