UBT News

​Kurti takon kryetarët e komunave, iu premton investime dhe rritje të grantit të përgjithshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrat e linjës është takuar të hënën me kryetarët e komunave të Kosovës.

Kreu qeveritar iu premtoi kryetarëve se në vitin e ardhshëm granti i përgjithshëm për komunat do të jetë rreth 250 milionë euro, i cili sipas tij është vlerë rekorde si asnjëherë më parë.

“Buxheti i komunave për vitin 2024 arrin në 742 milionë euro. Po bëhet viti i dytë radhazi që rritja e buxhetit është në përqindje dyshifrore krahasuar me vitin paraprak. Në vlerë absolute buxheti i vitit 2024 është për gati 90 milionë euro më i lartë krahasuar me vitin 2023, kurse nga fillimi i mandatit për tri vite buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë. Investimet kapitale nga ministritë e linjës në komuna përfshijnë autostrada, përmirësim të infrastrukturës në qendër dhe rrugë të reja, ndriçim publik, investime në energji efiçiente, parqe, hapësira të gjelbra, shkolla për nxënësit dhe shtëpi për personat me kushte të vështira financiare. Këto investime përfshijnë të gjitha komunat dhe pa përjashtuar asnjë zonë dhe diskriminuar asnjë komunitet. Granti i përgjithshëm për komuna për vitin 2024 kap shumën prej 284.7 milionë euro, e që paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grant. Kjo vlerë rekorde e grantit të përgjithshëm vjen si rezultat i rritjes së të hyrave në buxhetin e shtetit”, tha ai.

Gjatë takimit të Kurtit me nivelin lokal u mbajt edhe një minutë heshtje në nderim të rreshterit policor, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Kryeministri Kurti përmendi edhe organizimin e lojërave mesdhetare “Prishtina 2030”, ku tha se komunat do të përfitojnë shumë investime.

“Komunat tona përveç që kanë mundësitë që të dëshmojnë traditën tonë si nikoqir të mirë dhe përfitojnë edhe shumë investime të cilat vijnë nga organizimi i lojërave mesdhetare ‘Prishtina 2030’”, tha Kurti.

Në anën tjetër, kritik karshi ekzekutivit u shpreh kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu. Aliu i cili është edhe kryetar i Komunës së Ferizajt, tha se qeveria duhet të ndryshojë qasjen komunikuese ndaj nivelit lokal.

“Ne kryetarët e komunave kemi bindjen se duhet të ndryshojë tradita e moskonsultimit si dhe qasja komunikuese. Duke investuar në një raport komunikimi cilësor nga ana e ministrive të qeverisë për propozime për ndryshime apo miratime të nismave të ndryshme legjislative të cilat afektojnë drejtpërdrejtë pushtetin lokal. E tillë ishte edhe Ligji për vetëqeverisje lokale si dhe për procesin e amendamentit të Ligjit për tatimin në pronë për të cilën Asociacioni i Komunave të Kosovës, rrjedhimisht kryetarët e komunave u përjashtuan nga konsultimi, përkatësisht vendimmarrja e përbashkët ku dihet se ky ligj në gjendje aktuale dëmton në vlera milionëshe buxhetin e komunave, duke cenuar edhe autonominë financiare të komunave”, theksoi ai.

Ai paraqiti disa kërkesa ndaj qeverisë, ku përfshihen investimet kapitale në komuna, kthimi i pronave nga AKP-ja.

Pas adresimit të Kurtit dhe Aliut mbledhja ka qenë e mbyllur për media.

Exit mobile version