Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se takimet në nivel të lartë në mes Kosovës dhe Serbisë pas agresionit rus në Ukrainë janë vështirësuar shumë.
“Besoj se situata është më e vështirë se dikur. Varet se kur na vije ftesa nga Brukseli por pas invazionit rus në Ukrainë ndërkohë që ne vendosem sanksione dhe shprehem gatishmërinë për pranimin e 20 gazetarëve dhe 5 mijë refugjatëve, ndërsa Serbia doli karshi Federatës Ruse takimet janë në një situatë tejet më të vështirë sesa në vitin e kaluar. Në këtë situatë ku ata nuk po e kanë kurajo të distanconen nga federata ruse dhe tu bashkohen sanksioneve edhe takimet tona janë vështirësuar shumë”, tha ai.
Lidhur me atë se a kanë marrë ndonjë vendim lidhur me mbajtjen ose jo të zgjedhjeve të Serbisë, Kurti tha se bashkë me ambasadorët e QUINT-it po mundohen të gjejnë ndonjë zgjidhje, e cila nuk shkel të drejtat, por edhe nuk shkelet shtetësia dhe kushtetutshmëria e Kosovës.
“Konsiderojnë që në njërën anë nuk duhet që t’ua pamundësojnë serbëve në Kosovë ta kenë të drejtën e votës por në anën tjetër kushtetutshmëria dhe ligji në Kosovës neve na e obligon bazën e çfarëdo zgjidhje që do marrin në të ardhmen. Jemi në bisedime me ambasadorët e QUINT-it në mënyrë që të shohim se çfarë zgjidhje mund të gjejmë”, tha ai.