UBT News

​Kurti: Së shpejti do të propozojmë nivelin e pagës minimale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se së shpejti do të propozojnë nivelin e pagës minimale. Kurti gjithashtu ka bërë të ditur se prej sot është në fuqi vendimi i Qeverisë i cili obligon administratën shtetërore që gjatë këtij viti të plotësojë kuotën për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se kanë filluar të ndërmarrin hapat e nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale që sipas tij do të mundësojë jetë të dinjitetshme për të gjithë punëtorët pa dallim.

“Që punëtorëve pa dallim nga sektori ku punojnë t’u mundësohet jetë e dinjitetetshme kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt përmbushjes së një zotimi tjetër tonin e që është rritja e pagës minimale. Me projektligjin e përgatitur do të evitojmë të gjitha pasiguritë ligjore ekzistuese ndërsa në koordinim me këshillin ekonomiko-social së shpejti do të propozojmë nivelin e pagës minimale”, ka thënë Kurti.

Ndërsa lidhur me punësimin e personave me aftësi të kufizuar, Kurti ka thënë se organet e administratës obligohen që të sigurojnë qasje në institucione për të punësuarit me aftësi të kufizuar.

“Lidhur me punësimin sot kam marrë një vendim që obligon organet e administratës shtetërore që gjatë vitit 2022 të plotësojnë kuotën për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Po ashtu, organet e administratës obligohen të ndërmarrin veprime për të siguruar qasje në institucione për të punësuarit me aftësi të kufizuara në pajtim me ligjin për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Vendimi ka hyrë në fuqi sot ndërsa angazhimi ynë i përbashkët në përmbushje të këtij obligimi vazhdon çdo ditë”, ka thënë ai.

Këto kryeministri Kurti i ka bërë të ditura në mbledhjen e Qeverisë për të cilën ka thënë se po mbahet në 11-mujorin e marrjes së mandatit.

“Më 23 mars të vitit 2021, përafërsisht në këtë orë, e morëm detyrën si qeveri e re, pra nevojitet edhe një muaj që të bëhet viti i parë i mandatit tonë katërvjeçar”, ka thënë Kurti derisa ka hapur mbledhjen e Qeverisë. 

Exit mobile version