Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se do të përpilojnë programin qeverisës dhe planin e punës, por para kësaj theksoi se duhet të zgjedhhet presidenti i ri i vendit. Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Kurti tha se janë duke bërë një skanim të gjendjes të cilën e kanë gjetur nëpër ministri, çka sipas tij i paraprin planit të punës së qeverisë.
Kryeministri i Kosovës tha se planin e punës qeveria do ta përpilojë duke pasur prioritet zotimet që kanë shpalosur në fushatën elektorale.
“Do ta përpilojmë edhe progrmain tonë qeverisës dhe planin e punës, natyrisht duke pasur për prioritet zotimet tona dhe vizionet e shpalosura në fushatën elektorale dhe jo vetëm. Rendi edhe logjik, edhe kronologjik i gjerave e do që fillimisht ta bëjmë një skanim të tillë dhe gjithashtu edhe ta bëjmë zgjedhjen e presidentes së Republikëss së Kosovës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, meqenëse e dimë se ky është një vit kur e kemi edhe qeverinë e re, por edhe presidenten e re. Andaj, konsiderojmë që është e udhës që ta kemi zgjedhjen e presidentës dhe më pastaj edhe programin qeverisës dhe planin e punës”, tha Kurti.
Në këtë seancë pritet të votohen Komisionet Parlamentare. Po ashtu do të ketë deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe pyetje parlamentare.