Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se përpjekjet e Moskës zyrtare për të përdorur Kosovën si precedent për veprimet ruse në Ukrainë janë vetëm gënjeshtra dhe se qëllimi i vetëm i Rusisë është zhbërja e progresit të arritur në vendin tonë. Ai gjatë një ligjërate në Universitetin DePaul në Çikago ka thënë se 23 vjet pas intervenimit të NATO-s, Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ndërkaq zhbërja e progresit në Kosovë do të ishte fitorja e vetme e madhe që Putin do të dëshironte.
“Kosova është historia e suksesit demokratik të rajonit dhe për këtë arsye duhet të mbështetet që të bëhet anëtare e NATO-s, BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale pa ndonjë vonesë të mëtejshme. Kjo është edhe arsyeja e fiksimit të paarsyeshëm të tij (Putinit) ndaj vendit tonë”, ka thënë Kurti.
Duke folur për sulmin dhe invazionin e paprovokuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se imazhet nga kjo luftë janë veçanërisht të dhimbshme.
“Ushtarë vrasës gjakftohtë që torturojnë, përdhunojnë dhe vrasin pa dallim; Kufomat e djegura dhe varrezat masive janë imazhet dhe vuajtjet e Kosovës njëzet e tre vjet më parë dhe të Ukrainës sot”, ka thënë Kurti duke shtuar se Kosova ka treguar solidaritet me Ukrainën që nga dita e parë e sulmit.
Në përmbyllje të ligjëratës, Kurti tha se ShBA është partneri dhe miku më i ngushtë i Kosovës dhe se lidhja ndërmjet dy vendeve është e fuqishme për shkak të vlerave të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë.
Ndryshe, Kosova është ndër vendet e para që iu bashkuan sanksioneve të BE-së dhe ShBA-së kundër Rusisë pas agresionit në Ukrainë. Kosova po ashtu ka shprehur gatishmërinë për të pranuar deri në 5.000 refugjatë, ndërsa ka ofruar strehim dhe hapësirë pune për 20 gazetarë ukrainas.