Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës ambasadoren e Francës në Kosovë, znj. Marie Christine Butel.
Në këtë takim të fundit gjatë mandatit të saj, Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadoren Butel për bashkëpunimin dhe angazhimin në Kosovë përgjatë tri viteve, që nga shtatori i vitit 2019. Ai vlerësoi kontributin e saj për projekte në fusha të ndryshme të bashkëpunimit Francë-Kosovë, si dhe për thellimin e zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale. Në veçanti theksoi përkushtimin e saj për të çuar përpara agjendën e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, njofton ZKM-ja.
Te Franca shohim shtetin aleat dhe popullin mik të Republikës së Kosovës. Vlerat e saj për lirinë, demokracinë, të drejtat dhe mirëqenien e qytetarëve, që i kemi mësuar nga Franca, duam t’i aplikojmë edhe në Kosovë, në vendimet tona dhe në përpilimin e programeve tona qeveritare, tha Kryeministri Kurti. Ai theksoi se ka mirëpritur përfshirjen aktive të Francës në procesin e dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër.
Ambasadorja Butel vlerësoi pjekurinë demokratike në Kosovë, që ka sjellë ndryshimin në vend. Po ashtu, vlerësoi reformat strukturore të ndërmarra nga Qeveria. Ajo theksoi se Franca ka interes të veçantë për Ballkanin dhe se është e interesuar të përforcojë lidhjet me Kosovën, si dhe ta përmirësojë imazhin e Kosovës, si vend që di të bashkëpunojë edhe në sfera ndëruniversitare e kulturore.
Duke folur për përvojën e saj në Kosovë, ambasadorja Butel potencoi avancimin e marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Francë, duke theksuar marrëveshjet në kulturë e ekonomi. Ajo veçoi marrëveshjen për bashkëprodhimin e filmave, si dhe projektin e impiantit të ujërave të ndotura në Prishtinë, që pas shumë vështirësive tani është në binarë.
Duke shprehur mirënjohje për kontributin e saj për vendin tonë, Kryeministri Kurti i uroi ambasadores Butel suksese në angazhimet e saj të radhës.