Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se përpjekjet e qeverisë për luftimin e krimit dhe korrupsionit kanë dhënë rezultatet e para.
Në mbledhjen e qeverisë, Kurti tha se vlerësimi i Transparacy International tregon përkushtimin e ekzekutivit për shkatërrimin e grupeve kriminale dhe luftimin e korrupsionit.
Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, duke u vlerësuar me 39 pikë – tri më shumë sesa vitin e kaluar – në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International. Një vit më parë Kosova kishte 36 pikë.