Kryeministri Albin Kurti deklaroi se zhvillimet në veri nuk janë pasojë as e vendimit për regjistrimin e veturave me targa RKS dhe as për pezullimin nga puna të ish-komandantit të Drejtorisë Rajonale të Polcisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq.
Në një konferencë për media, ai theksoi se me këto veprime po kamuflohet refuzimi i Serbisë ndaj propozimit franko-gjerman.
“Këtu bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ja kanë bërë propozimit të Parisit dhe të Berlinit dhe tash duhet ta kamuflojnë këtë refuzim që ja kanë bërë Evropës e që ja kanë bërë BE-së”, tha Kurti që shtoi se Beogradi është në koordnimim vetëm me Kremlinin.
Kurti tha se Serbia është e interesuar të sabotojë dialogun dhe çfarëdo marrëveshje.
“Serbia qartazi është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëveshje dhe rruga që e ka zgjedhur është në bashkëpunim me grupet kriminale në veri të vendit për kërcënimin e qytetarëve dhe siguresë në vendin tonë. Kjo rrugë nuk është e paqes, e bashkëpunimit, e as ndërtimit të marrëdhënieve të mira nder fqinjësore për çfarë ne angazhohemi. Përpjekjet e tilla do të jenë të pasuksesshme sepse shteti ynë është i fortë, demokratik, i cili ka rritje ekonomike dhe shoqërore në çdo fushë e aspekt duke qenë njëkohësisht i rreshtuar me BE, ShBA dhe NATO”, ka shtuar ai.