Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi pas protestave në disa komuna me shumicë serbe ku ai u akuzua se qëndron mbrapa pezullimit nga puna të gjyqtares së Gjykatës Themelore në Mitrovicës, Liljana Stefanoviq.
Kurti përmes një postimi në Twitter tha se ai nuk është as kryetar dhe as anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe se gjyqësori është i pavarur nga ekzekutivi. Ai shtoi se në Serbi ndoshta presidenti pezullon dhe largon prokurorët dhe gjykatësit por kjo nuk ndodhë në Kosovë.
“Unë nuk jam as kryetar dhe as anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjyqësori është i pavarur nga Qeveria. Ndoshta në Serbi presidenti pezullon dhe largon gjyqtarët dhe prokurorët. Ky nuk është rasti në Kosovë ose me gjyqtaren Stefanoviq. Ne jemi vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, plotësisht në linjë me BE-në dhe NATO-n”, shkroi Kurti.
Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përmes një komunikate për media, sqaroi se pezullimi i gjykatëses Stefanoviq nuk kishte të bënte me ndikime politike dhe kërkoi nga të gjithë që të përmbahen nga deklarimet e tilla.