Papunësia mbetet sfidë në Kosovë, veçanërisht për komunitet jo shumicë, tha kryeministri Albin Kurti, në konferencën për ndarjen e resurseve me dobi të veçanta për komunitetet joshumicë.
Nga këtu kryeministri Kurti tha se politikat qeveritare ekonomike për mbështetje do të arrijnë te të gjithë qytetarët me pakon prej 150 milionë euro për përballje me inflacionin.
“Në këtë sallë ka fuqi të madhe që siguron, që politikat tona për mbështetje ekonomike do të arrijnë te të gjithë qytetarët, e veçanërisht te ata që kanë më së shumti nevojë. Kemi ndarë 150 milionë euro për pakon për përballje me inflacionin përmes pagesave të një hershme për pensionistët, studentët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike, pastaj 50 euro shtesë për punëtorët e sektorit publik dhe rimburësim prej 50 përqind të rritjes së pagës për punëtorët në sektorin privat. Për këtë të fundit shpresojmë që informata do të arrijë te të gjitha bizneset, në mënyrë që të gjithë qytetarët pa dallim të mund të përfitojnë… Papunësia mbetet sfidë e veçanërisht e theksuar për komunitetet ashkalinjë dhe egjiptianë”, theksoi ai.
Në këtë konferencë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka folur për programin infrastrukturor për komunitetet që parasheh investime rreth 3 milionë euro.
“Programi është një prej atyre programeve që në qeverinë tonë për herë të parë është krijuar si program i veçantë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Nuk ka një buxhet të jashtëzakonshëm, ka një buxhet modest deri 3 milionë euro gjatë vitit. Komunat vazhdimisht janë duke shfrytëzuar këto mjete në mënyrë që të mbështeten grupet e marxhinalizuara, komunitetet në veçanti në zonën ku për shumë vite nuk ka pasur investime nga niveli lokal”, tha ai.
Në këtë konferencë u tha po ashtu do të punojnë për integrimin edhe të komuniteteve joshumicë në institucionet publike.