Kryeministri Albin Kurti së bashku me kabinetin e tij qeveritar, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh në kompleksin memorial në Gllogjan, ku ka thënë se vetëm duke kujtuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe sakrificën e popullit për liri, do të ruhet vlera e lirisë dhe pavarësisë.
Kurti bashkë me ministrat e tij, me një minutë heshtje kanë nderuar dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan.
Në 23-vjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”, kreu i ekzekutivit kujtoi dhënien e kushtrimit në Dukagjin dhe përhapjen e luftës çlirimtare në gjithë vendin. Ai tha se lufta çlirimtare u përhap gjithandej e që një vit pas “Epopesë së Dukagjini” pushkëve të lirisë iu bashkangjitën edhe avionët e NATO-s.
“23 vjet më parë me 24 mars këtu në Gllogjan u dha kushtrimi i lirisë në Dukagjin, lufta çlirimtare u përhap gjithandej dhe një vit më vonë pushkëve të lirisë iu bashkëngjiten avionët e NATO-s dhe nuk vonoi dhe u çlirua Kosova. Pra 24 marsi i ‘Epopesë së Dukagjinit’ i viti 1998 dhe 24 marsi i ndërhyrjes së NATO-s i vitit 1999, thuajse na tregojnë rendin e logjikshëm të gjërave. Së pari pushka jonë, pastaj avioni i NATO-së, ngjashëm edhe sot, së pari puna jonë e më pastaj ndihma nga jashtë për zhvillim e demokratizim e drejtësi”, u shpreh Kurti.
“Në ditë të shënuara si kjo ne bëjmë nderim për dëshmorët e kombit, ata që dhanë gjithçka që ne sot të jetojmë të lirë dhe të mund të përparojmë. Ne që jemi gjallë duhet t’i kujtojmë ata që nuk janë sepse vetëm duke ia rikujtuar vetes sonë çmimin e madh për liri e pavarësi dhe ua dimë dhe ua ruajmë vlerën lirisë dhe pavarësisë”, tha ai.
Kurti mëngjesin e së mërkurës bashkë me kabinetin qeveritar kanë bërë homazhe edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.