UBT News

​Kurti në Greqi, pjesë e darkës joformale me liderët e BP, takim edhe me Mitsotakis

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së të Evropës Juglindore, si dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, do të priten nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis në Megaros Maximos në një darkë joformale për zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit.

Takimet e kryeministrit grek sot (e hënë) dhe nesër (e martë), si dhe darka joformale në orët e vona, sinjalizojnë, siç thonë burimet qeveritare greke, rolin kryesor që luan Greqia si shtyllë e stabilitetit, paqes dhe sigurisë energjetike në Ballkan dhe Evropën Juglindore, raportoi agjencia e lajmeve ANA-MPA.

Të njëjtat burime qeveritare theksojnë se Kyriakos Mitsotakis ka riafirmuar vazhdimisht mbështetjen e vendosur të Greqisë për perspektivën evropiane të rajonit, e cila bëhet edhe më e rëndësishme në mjedisin e ri të sfidave të krijuara nga pushtimi rus në Ukrainë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë pjesë e kësaj darke si dhe të martën paradite do të ketë një takim me homologun grek, Mitsotakis.

Por surpriza e mbrëmjes në Athina do të jetë pjesëmarrja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Ky i fundit ndodhet në një turne evropian, teksa ka vizituar Suedinë, Danimarkën dhe Holandën. Sipas mediave greke, pritet që kryeministri grek dhe presidenti ukrainas të zhvillojnë një takim së bashku, para mbajtjes së darkës informale.

Agjenda e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për sot, e hënë, 21 gusht dhe nesër, e martë, 22 gusht 2023, është si më poshtë:

E hënë 21 gusht

Ora 11:00 Takimi dypalësh me Presidenten e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Borjana Kristo,

Ora 13:00 Takimi dypalësh me Kryeministrin e Rumanisë, Ion-Marcel Ciolacu,

Ora 15:00 Takimi dypalësh me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq,

Ora 20:15 Darkë joformale me krerët dhe drejtuesit e institucioneve evropiane, për zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit me rastin e 20-vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe “Deklaratës së Selanikut”.

E martë 22 gusht

Ora 9:00 Takimi dypalësh me Presidenten e Moldavisë, Maia Sandu,

Ora 10:00 Takimi dypalësh me Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq,

Ora 10:45 Takimi dypalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Shqipëria dhe Sllovenia nuk do të marrin pjesë në takim.

Exit mobile version