UBT News

​Kurti në Greqi, merr pjesë në tryezën e rrumbullakët me qeverinë greke

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Greqi, për të marrë pjesë në Tryezën e Rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë, bëhet e ditur në një komunikatë për media. Gjatë qëndrimit të tij atje, ai do të zhvillojë takime zyrtare me përfaqësues të ndryshëm.

Kjo tryezë, e 26-ta me radhë, organizohet nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist” me mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian.

Me temën “Antiteza, transformime, arritje në një botë në ndryshim”, në këtë tryezë do të marrin pjesë liderë shtetesh, ministra kabineti, drejtues të organizatave ndërkombëtare, drejtues nga biznesi, financat, profesionistë nga akademia dhe mediat.

Kryeministri Kurti sot merr pjesë në panelin me temë “Evropa juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”

Krahas kryeministrit Kurti, të ftuar në panel janë edhe Dritan Abazoviq, kryeministër i Malit të Zi, Zoran Zaev, ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Sir Stuart Peach, i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor dhe George Katrougkalos, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë. Paneli do të drejtohet nga Joan Hoey, drejtor për Evropë, The Economist Intelligence Unit, redaktor, The Democracy Index.

Exit mobile version