UBT News

​Kurti ministrave të tij: Jeni zgjedhur për të shërbyer dhe jo për t’u rehatuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të ketë tolerim ndaj keqpërdorimeve të detyrës zyrtare dhe të parasë publike, ndërsa ministrave të tij ua ka përkujtuar se në këto poste ata janë për të punuar dhe jo për t’u shpërblyer.

Në fjalën e tij pas betimit si kryeministër, Kurti ka thënë se vendimet e qeverisë së tij do të bazohen në fakte.

“Duhet ta kuptoni se në institucione jeni zgjedhur për të shërbyer dhe jo për t’u rehatuar e për t’u shpërblyer. Qytetarët presin të udhëhiqen nga njerëz të dijshëm dhe kompetent, dhe për ndryshime na nevojitet bashkëpunim, por për reforma të reja nevojitet një mentalitet i ri i punës”, ka thënë ai.

Kurti u zotua se do të jetë kryeministër që do të udhëheqë me besim dhe parime në të mirën e Kosovës, ndërsa pati edhe një porosi për deputetët e partisë së tij dhe kabinetit qeveritar.

“Mos u sillni me arrogancë ndaj opozitës. Ndërsa kabineti qeveritar ta merr pozitën si përgjegjësi”, u shpreh ai.

Qeveria Kurti 2 u zgjodh me 67 vota për dhe 30 kundër.

Exit mobile version