Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, që nuk po i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Ai në Kuvendin e Kosovës tha se vlera e shtatë marrëveshjeve që presin për ratifikim në Kuvend është mbi 360 milionë euro.
Sipas Kurtit, nga kjo qasje e opozitës po humbin më së shumti qytetarët e Kosovës.
“Vlera e këtyre marrëveshjeve gjithsej që janë në pritje tejkalon shifrën prej 360 milionë euro. Të gjitha këto po presin me votat e dy të tretat e deputetëve…Se marrëveshjet janë në dobi të qytetarëve pajtohet edhe opozita dhe megjithatë ata nuk po i votojnë. Cila është arsye, të bllokohet qeveria? Vërtet se ju na bëni punën më të vështirë dhe e bëni shtetin të duket joserioz para partnerëve ndërkombëtar por megjithatë qeveria mund të vazhdojë mandatin deri fund. Por me këtë mosvotim humbin qytetarët pasi projektet nuk bëhen…Detyra e opozitës është të tregoj se si mund të bëhet më mirë, jo të bllokojë punën në kurriz të qytetarëve. Nuk mund të thuash po e bëjë opozitën dhe po brengosëm për qytetarët kur bllokohet ligji për çmimin tavan. Nuk mund të thuash po e bëjë opozitën dhe kur bllokon ligjin për pagën minimale dhe nuk mund të thuash po e bëjë opozitën dhe po brengosem për ekonominë e vendit kur bllokohen marrëveshjet ndërkombëtare për projektet zhvillimore. Nuk bëhet kjo punë kështu, më besoni, këtë po e thotë dikush që ka bërë opozitë parlamentare për një dekadë”, tha Kurti.