Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se krimet e dhunës seksuale janë arma më e tmerrshme që është përdorur nga okupatori serb. Këto krime, siç tha ai, kanë shkatërruar shumë jetë dhe kanë hapur shumë plagë.
Shefi i ekzekutivit në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt u ka bërë thirrje burrave e djemve që të mbështesin gratë e vajzat në familjet e tyre. Ndërkaq, u zotua që për qeverinë që ai drejton është prioritet drejtësia tranzicionale.
Në tryezën ku morën pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, prokurorja Drita Hajdari e organizata joqeveritare, Kurti ka theksuar se heshtja vazhdon të mbështjellë krimin ndaj grave dhe burrave në luftën e fundit në Kosovë.
“Në dekadën e fundit me guxim e forcë të pashembullt kemi gra të zonja, që treguan të vërtetën për krimet dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ato kanë folur me zë të lartë për këtë krim, për këtë armë lufte. Duke u bërë edhe zëri i mijëra grave dhe burrave tjerë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kujtojmë zonjën Marte Tunaj e cila vdiq në maj 2016, e nderojmë zonjën Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyrete Tahiri Sulimani, dhe të gjitha të mbijetuarat të cilat me forcën e tyre frymëzojnë dhe inkurajojnë edhe gratë dhe burrat tjerë që thyen heshtjen që e m’vesh këtë krim”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, dhuna seksuale në luftën e viteve ’98-’99 është përdorur si armë lufte nga Serbia në Kosovë. Për çka shtoi se kjo është prej krimeve më të tmerrshme që përjetuan mijë gra e burra.
“Krimet e dhunës seksuale gjatë luftës, janë krimet më të tmerrshme që kanë ndodhur ndaj mijëra grave, burrave, e vajzave e djemve. Ato kanë shkatërruar shumë jetë, kanë hapur shumë plagë e kanë shuar shumë histori. Në vitin e kaluar, pas 23 vjetësh mos ndëshkimesh për krimin e dhunës seksuale, për herë të parë është dënuar dikush. Zoran Vukotiq është dënuar me burgim, për rastin e ushtrimit të dhunë seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri”, ka shtuar Kurti.
Për këtë armë lufte, shefi i ekzekutivit theksoi se nuk duhet të ketë amnisti. Kurti u ka bërë thirrje të gjithë të mbijetuarave dhe mbijetuarve që të aplikojnë për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale.
“Drejtësinë tranzicionale e kemi prioritet. Qeveria po e harton strategjinë kombëtare për drejtësi tranzicionale dhe ka iniciuar themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës. Nga këtu, veçanërisht u bëj thirrje të gjithë burrave e djemve që të mbështesin gratë dhe vajzat në familjet e tyre, pasi largimi i familjes e ndarja e shoqërisë është një prej efekteve shkatërruese, për të cilat dhuna seksuale përdoret si armë lufte”, tha Kurti.
Ai ka shtuar se këto krime nuk kanë ndodhur pse të dhunuarit kishin emra të përveçëm, por që ishte taktikë e armë lufte. Sipas tij, efektet shkatërruese vazhdojnë të ndjehen edhe sot.
Gjatë periudhës ’98-’99, rreth 20 mijë gra e burra nga Kosova janë dhunuar seksualisht nga okupatori serb. Gjatë vitit të kaluar, institucionet vendore kanë dënuar Zoran Vukotiq me 10 vjet burg për dhunimin e një gruaje shqiptare nga Vushtrria.