Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është mburrur se qeveria e tij ka arritur suksese më shumë se çdo ish-qeveri e kaluar. Madje nënvizoi se Kosova asnjëherë s’ka pasur qeveri më të mirë. Në mbledhjen kabinetit qeveritar, Kurti paraqiti të arriturat në 1 vit e gjysmë në ekzekutiv, sfidat dhe siç tha parandalimin e shkeljeve ligjore dhe raportimin e tyre në polici dhe prokurori. Megjithatë shtoi se iu mbetet ende shumë për të bërë, pasi nevojat janë të mëdha.
“Si qeveri kemi arritur më shumë suksese se çdo qeveri e kaluar pararendëse, brenda këtij 1.5 vjeçari të parë. Në vijim po i përmendi disa prej tyre, 1 vit e gjysmë rritje dhe antikorrupsion, qeverisje socialdemokrate me stabilitet institucional. Kemi rikthyer sistemin e financave publike në binarë. Duke ulur borxhin publik kundrejt bruto produktit vendor për 27 për qind, respektivisht nga 28 për qind sa ka qenë në vitin 2020, në 21 për qind në vitin 2021. Kjo dëshmon përgjegjshmëri për paranë publike. Kemi ofruar mbi 750 milionë për mbështetje ndaj qytetarëve dhe biznesit për përballje me pasojat e pandemisë, krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve. Kemi rritjen ekonomike historike në vendin tonë për vitin që shkoi me 10.7 për qind, ndërsa në pjesën e parë të këtij viti kemi 4.7 për qind të bruto produktit vendor, pasi të zbritet inflacioni…qeverisjen e kemi kuptuar si përgjegjësi dhe jo si privilegj. Këtë e dëshmon kjo listë e disa prej rezultateve tona, përkundër përballje me pandeminë Covid, krizën energjetike, grevën e pajustifikuar 1 muajshe në arsim dhe Serbinë ende armiqësore ndaj shtetit tonë. Jam i bindur se sukseset do të vazhdojnë, ashtu edhe sfidat dhe nganjëherë do të përballemi edhe me ndonjë ngecje ose vonesë. Kosova nuk ka pasur qeverisje më të mirë, por na mbetet më shumë për të bërë pasi nevojat janë të mëdha”, tha ai.
Si sfida kryesore, kreu qeveritar përmendi krizën energjetike dhe të inflacionit, përçka theksoi po punojnë vazhdimisht t’iu dalin në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve
“Kemi mungesë të memories institucionale, pastaj sistemi i drejtësisë përgjithësisht joefikas, meqenëse ndalimi dhe parandalimi i kontratave të dëmshme mbetet pezull në sistemin gjyqësor, i cili me raste edhe mund të zgjatë gjykimin. Me krizat e njëpasnjëshme që nga fillimi i mandatit që qeveria është përpallur, me atë të pandemisë, tani të energjisë dhe tash me krizën inflacionare. Kjo situatë ka ndikuar që planifikimi të jetë më afatshkurtër dhe burimet të fokusohen në menaxhim krizash. Kemi edhe ngritjen e çmimeve dhe ndikimin e kësaj në pezullimin e punëve te investimet kapitale”, shtoi Kurti.
Krahas këtyre, kreu qeveritar tha se kanë parandaluar shumë shkelje ligjore, derisa shtoi se kanë raportuar qindra të tilla në polici dhe prokurori.
“Janë ndalur ndërhyrjet politike në procese të emërimeve dhe është rritur cilësia e ekspertizës në komisione rekomanduese për proceset e rekrutimit në ndërmarrjet publike dhe pozita të tjera të larta drejtuese. Janë ngrirë mbi 3 milionë euro në kuadër të hetimeve për financim të paligjshëm dhe shpëlarje të parave. Për shpronësime të dëmshme në vitin 2021 është dërguar në Prokurorinë Speciale kallëzim penal për projektin e ndërtimit të rrugës nacionale Prishtinë-Pejë, përkatësisht segmentin Kijevë-Klinë-Zahaq, për të cilin raporti i auditimit ka gjetur një shpërputhje prej 12 milionë euro. Është bllokuar rruga në terminalin doganor në Hanin e Elezit dhe është bërë shpronësimi i pronave për ndërtimin e rrugës shtetërore në këtë pikë hetimore. Është dorëzuar raport në prokurori për 43 milionë euro të shpenzuara në kontratat e trashëguara në vlerë totale 131 milionë euro, kinse për rregullim të shtretërve të lumenjve, e pikërisht aty vazhdojmë të kemi vërshime”, përfundoi Kurti.