UBT News

​Kurti: Kompanitë e Radojiqiqit u kushtëzojnë serbëve vendin e punës me protestë të dhunshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se shumë qytetarë serb, për shkak të kërcënimit dhe personit nga Beogradi zyrtar, janë detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulmet e grupeve kriminale. Ai ka thënë se një kategori e protestuesve janë punëtorë të kompanive të Radojiqiqit i cili u jep ditë pushimi që të marrin pjesë në protesta të dhunshme. Lidhur me situatën në veri, shefi i ekzekutivit ka folur në Kuvendin e Kosovës.

“Jam i vetëdijshëm që jo të gjithë ata që po marrin pjesë në grumbullimet para objekteve janë pjesë e grupeve të tilla. Por fatkeqësisht shumë qytetarë serb për shkak të presionit dhe kërcënimit të Beogradit zyrtar janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulmet e grupeve të tilla kriminale. Dhe aty janë tri kategori, kategoria e parë janë këta kriminelët e mbrojtjes civile, këta janë ajo pjesa ekstremiste, shoviniste, nacionaliste, e cila e admiron Millosheviqin dhe Putinin dhe merr pjesë në protesta të dhunshme, kategoria e dytë janë ata nga administrata publike të cilët po nuk dolën në protesta humbin pagën se vendin e punës nuk e di a e kanë, dhe kategoria e tretë janë kompanitë e Radojiqiqave dhe Veselinoviqave të cilët u japin ditë pushimi punëtorëve me kusht që me e shku në protesta të dhunshme. Pra, ua kushtëzojnë vendin e punës me protestë të dhunshme dhe kur shkojnë në protestë të dhunshme ua shkruajnë ditë pushimi”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se veprimet e institucioneve kanë qenë në përputhje me obligimet kushtetuese interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Nuk ka nevojë ta quajmë hyrje me forcë në ndërtesë sepse ajo ndërtesë është e Republikës së Kosovës, nuk hyn Policia me forcë në ndërtesë të vet, nuk hynë kryetari i komunës me forcë në ndërtesë të vet, ajo është zyra e tij”, ka theksuar ai.

Exit mobile version