UBT News

​Kurti: Kemi stabilitet dhe besueshmëri të lartë qytetare

Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë ishin tema e takimit të sotëm ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe Kristin Melson, drejtoreshë për Evropën Juglindore nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

Kryeministri Kurti tha se ndryshimet demokratike në këtë fillim vit kanë sjellë përfitime të gjithmbarshme.

“Tashmë kemi stabilitet dhe legjitimitet në institucionet tona, por edhe besueshmëri të lartë qytetare, e cila ka kontribuar në rritjen e investimeve, të të hyrave dhe ekonomisë, dhe si rezultat rritjen e punësimit. Qytetarët duan zhvillim e drejtësi, andaj këta indikatorë pozitivë të ekonomisë duhet të shoqërohen me indikatorë pozitivë edhe në drejtësi, e cila duhet të jetë efikase”, tha ai.

Në takim u bisedua për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe planet e Qeverisë për “kthimin e trurit”. Lidhur me këtë, Kurti e njoftoi Melson për mekanizmin, që do të themelojë Qeveria “Fondi i Ekselencës”, për të cilin edhe kërkoi mbështetje.

Në takimin e përbashkët me Përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor, Arne S. Bjornstad dhe ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl, u bisedua edhe për gjendjen me pandeminë.

“Në kohën kur i gjithë rajoni po përjeton një fluks të rasteve të reja me koronavirus, Kosova po dëshmon se ka menaxhuar mirë pandeminë, duke ruajtur edhe shëndetin e qytetarëve edhe të ekonomisë”, tha Kurti duke shtuar se Kosova mbetet vendi me mesataren më të lartë të vaksinimit në rajon.

Duke folur për çështjet rajonale dhe dialogun, kryeministri Kurti tha se Kosova është kontribuuese e paqes dhe sigurisë në rajon. Ai ritheksoi përkushtimin për bashkëpunim e integrim ekonomik brenda agjendës evropiane dhe me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të Bashkimit Evropian. 

Exit mobile version