UBT News

​Kurti: I sigurova Lajçakut se nuk kontribuojmë asnjëherë në eskalim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se në takimin e djeshëm me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak kanë diskutuar për deeskalimin dhe për normalizimin.

Ai tha se duan Polici për zbatim ligji dhe për siguri publike që nuk e përjashton askënd.

Kurti potencoi se ka shprehur gatishmërinë për zgjedhje të parakohshme në veri.

“Sa i përket de-eskalimit, unë i kam siguruar jo vetëm zotëri Lajçak dje, por edhe të dielën pasdite zotëri Borrell se qeveria kurrsesi nuk kontribuon në eskalim asnjëherë. Ne duam polici për zbatim ligji dhe për siguri publike që s’e përjashton askënd. Ndërkaq, në anën tjetër gjithashtu i kam siguruar që policët e Republikës së Kosovës që janë nëpër ndërtesat të komunave në veri të vendit tonë, nuk janë duke zhvilluar operacione në rrethimin e atyre ndërtesave. Sepse komunikatën, të cilën e pati lëshuar zotëri Borrel nga Moldavia kur po mbahej atje samiti i Komunitetit Politik Evropian thoshte që në afërsi të ndërtesave të mos ketë operacione të Policisë së Kosovës. Unë edhe një herë ua konfirmova se nuk ka pasur dhe nuk ka operacione të tilla. Gjithashtu, sipas kërkesës së tyre kam shprehur gatishmërinë tonë për zgjedhje të parakohshme në veri, sepse këto zgjedhje të parakohshme në ato komuna janë e vetmja mënyrë se si të bëhet ndërrimi i pushtetit. Ndërrimi i pushtetit nuk mund të bëhet me dhunë, ndërrimi i pushtetit nuk mund të bëhet duke plagosur ushtarët e NATO-s, policët e Kosovës apo gazetarët, por vetëm me zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Kurti.

Për zgjedhjet e parakohshme, siç shtoi Kurti, Ligji për Vetëqeverisje Lokale përcakton se si duhet të fillohet me mbledhjen e 20 për qind të elektoratit si nënshkrime të një peticioni që e nisin procesin për zgjedhje të parakohshme.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin e mbajtur dje (4 korrik) me emisarin e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik. Ndërsa, emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak pas takimit me kryeministrin Kurti ka thënë se ka mirëkuptim për de-përshkallëzimin në veri.

Exit mobile version