UBT News

​Kurti i gatshëm për bisedime me Serbinë: Dialogun e duam për marrëveshje

Kryeministri Albin Kurti është shprehur i gatshëm për bisedime me Serbinë kurdo që do të ketë ftesë nga përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, Josep Borrell. Ai ka folur edhe për asociacionin, ku tha se asnjëherë nuk ka qenë kërkesë e serbëve të Kosovës. Këta të fundit, sipas tij, duan drejtësi dhe punësim.

Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Albin Kurti në konferencë për media u shpreh se janë të gatshëm për të zhvilluar bisedime me Serbinë.


“Kur zyra e përfaqësuesit të lartë të BE-së, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, zotëri Borrel të na thërras në takim, si lehtësues dhe ndërmjetësues që janë, ne jemi të gatshëm që të marrim pjesë në bisedime atje. Natyrisht ne duam dialogun parimor, të baraspeshuar, ku barazia e palëve është fakt i dhënë dhe i padiskutueshëm. Ndërkaq, dialogun e duam për marrëveshje, jo dialog për dialog. Ky dialog për marrëveshje nënkupton që marrëveshja si marrëveshje për statusin e raporteve tona, jo statusit të Kosovës, çfarë marrëdhënie duhet të kenë Kosova me Serbinë e që ne besojmë që duhet të jenë marrëdhënie normale, patjetër në qendër do ta përmbaj njohjen reciproke”, ka deklaruar Kurti.

Derisa është pyetur për asociacionin, Kurti ka përmendur vendimin e Kushtetueses duke thënë se qeveria është e përkushtuar që në gjithë territorin kjo të jetë e zbatuar në mënyrë të plotë.

“Rrjedhimisht nuk e kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Unë besoj që edhe serbët në Kosovë, por si shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët, egjiptianët, ashkalinjtë, të gjithë qytetarët e Republikës kanë nevojë për drejtësi dhe për punësim dhe jo për asociacione të cilat na shtojnë tensione, na i prishin raportet tona dhe e gëzojnë dikë në Beograd. Nuk ka qenë asnjëherë kërkesë e serbëve të Kosovës, serbët e Kosovës duan drejtësi dhe punësim. Andaj duhet t’i dallojmë kërkesat që vijnë prej poshtë dhe kanë karakter demokratik dhe shoqëror, prej kërkesave që vijnë prej lartë dhe kanë karakter dhe jo-demokratik dhe hegjemonik”, ka shtuar ai.

Në mbledhjen e qeverisë janë emëruar anëtarët e bordit mbikëqyrës të ndërmarrjes publike-Trepça dhe të Korporatës Energjetike të Kosovës-KEK. 

Exit mobile version