Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të presë sot në takim kryetarët e komunave. Qëllimi i takimit mësohet të jetë situata e krijuar nga pandemia me COVID-19. Në këtë takim të thirrur nga Kurti e që do të mbahet në ambientet e Qeverisë së Kosovës do të marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ditët e fundit numri vdekjeve dhe rasteve pozitive me COVID-19 kanë shënuar rritje. Qeveria e Republikës së Kosovës të hënën ka mbajtur mbledhjen elektronike në të cilën ka miratuar vendimin për themelimin e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 në vend. Ky vendim vjen një ditë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që u mblodh për shkak të numrit të lartë të rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19.
Vetëm gjatë së hënës Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar për 20 vdekje dhe 932 raste të reja pozitive me koronavirus. Ndërkohë që numri total i rasteve aktive është 26 mijë e 525 raste.
Shkak i rritjes së këtyre rasteve tashmë shumë nga klinikat në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë kthyer në qendra për trajtimin e personave të infektuar me virusin korona. Nga sot edhe në ambulancat specialistike do të trajtohen pacientët me COVID-19.
Me 30 gusht (të hënën) hynë në fuqi masat e reja të Qeverisë. Në këto masa përfshihet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, kufizimi i punës së gastronomisë, shtyrja e fillimit të procesit mësimor deri më 13 shtator dhe masa të tjera.