Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se brenda dy vjetëve kanë shtuar buxhetin e shtetit për arsim për 26%, por kanë shtuar shumë edhe numrin e bursave për nxënës të komuniteteve dhe për studentë, në veçanti për vajza që studiojnë në degët STEM, ku kanë pasur mbi 1300 bursa për vitin shkollor 2021/2022, e në këtë vit i kanë shtuar edhe 2 mijë bursa të tjera me dy milionë euro.
Këto komente Kurti i bëri gjatë vënies së gurthemelit të Shkollës Fillore në fshatin Dumosh, si dhe në vënien e gurthemelit të çerdhes në qytetin e Podujevës.
Në Dumosh të Podujevës, kryeministri Kurti me kryetarin Shpejtim Bulliqi, drejtorin e shkollës vunë gurthemelin e shkollës në vlerë prej 560 mijë euro, financim ky i mundësuar nga buxheti komunal.
Kjo shkollë ka kapaciteti për 170 nxënës dhe do të përfshijë 8 dhoma mësimi.
Sipas një komunikate të Qeverisë, qyteti i Podujevës do të bëhet edhe me një çerdhe të re me investim afër 700 mijë euro, gurthemelin e së cilës e vendosi kryeministri Kurti. Me këtë rast, ai njoftoi se objekti i çerdhes me sipërfaqe 1400 metra katrorë është i destinuar për 150 fëmijë.
Në këtë ambient fëmijët do të zotërojnë 7 dhoma për qëndrim, 3 dhoma të gjumit për fëmijë, hapësirën për shumë qëllime, kuzhinën, trapezarinë, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratën, si dhe hapësira teknike. Për këtë çerdhe, sipas kryeministrit do të punësohen 15 edukatore dhe 5 persona staf administrative.
Tutje në përgjithësi, kryeministri tregoi se çerdhe si kjo janë ndërtuar edhe katër të reja në vitin 2021/2022, përderisa në implementim janë edhe 14 çerdhe të reja në Kosovë e 5 adaptime, ndërkaq në planifikim edhe 17 çerdhe të tjera e 5 adaptime të shkollave në kopshte.