Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se rritja e tarifave dhe subvencionit janë e vetmja rrugë në mënyrë që të përballohet kriza energjetike. Ai ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme, Kosova ka konsumuar 2.3 milionë euro import, për çka tha se dikush duhet ta paguajë. Sa i përket rrymës së konsumuar në veri, shefi i ekzekutivit u shpreh se arsyeja e mos-pagesës lidhet edhe me strukturat ilegale.
Në një konferencë për media, Kurti tha se mbrëmë ka qenë konsumi maksimal prej 1318 megavat, konsumi minimal në 05:00 të mëngjesit, ndërkaq i gjithë prodhimi me termocentralet e “Kosova A” dhe “Kosova B” ka qenë 727 megavat. Siç deklaroi ai, këtë konsum duhet ta paguajë dikush.
“Nëse mbledhim konsumin e gjithmbarshëm të datës 18 janar, është 26 mijë e 608 megavat orë. Pra, në ditën e djeshme, Republika e Kosovës ka konsumuar 26 mijë e 608 megavat orë. A e dini sa ka qenë import prej kësaj? Kanë qenë 9030 megavat orë. Diç më shumë se nëntë gigavat orë kemi importuar. Nëntë gigivat orë i kemi konsumuar, i kemi blerë në treg. E çmimet kanë qenë kështu, çmimi bazik ka qenë 237.5 euro për megavat orë, ndërkaq çmimi maksimal 265.12 euro për megavat orë. I bie rreth 2.3 milionë euro ditën e djeshme kemi konsumuar import”, u shpreh ai.
Problemi me konsum me energji, Kurti tha se është mirë që do të diskutohet nesër nga seanca e thirrur nga opozita.
Shefi i ekzekutivit u shpreh se e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo krizë energjetike mbetet rritja e tarifave dhe e subvencionit
“Energjia e importuar me çmim shumë të lartë është konsumuar, dikush duhet ta paguajë. Dhe janë tri mënyra se si mund të bëhet financimi është rritja e tarifave, rritja e subvencionit apo edhe reduktime të ashpra të energjisë. Ne e pamë se sa të dëmshme janë reduktimet e energjisë edhe për amvisëritë edhe për bizneset. Sepse, në njërën anë e kemi të amortizuar rrjetin e distribucionit, por edhe të transmisionit. Dhe shkaktohen shumë kollaj në këtë rrjet dëme të kushtueshme. Prandaj, ne jemi në situatën ku rritja e tarifave dhe rritja e subvencionit ngelen e vetmja rrugë përpara në mënyrë që të përballemi me këtë krizë”, ka deklaruar ai.
Ai pohoi se masat që janë në dispozicion nuk mund të japin zgjidhje, por u zotua se ka për qëllim të ndërmarr veprime të cilat do të adresojnë efektin e menjëhershëm të kësaj krize. Më tej, ai ka uruar që sa më parë të vihet në funksion blloku B2.
“Çmimi i propozuar nga ZRRE është barrë shumë e rëndë për t’u përballur nga qytetari në Kosovë. Rrjedhimisht ne do të vëmë në dispozicion 75 milionë euro subvencion për të mos i prekur fare rritja e çmimeve të energjisë, konsumatorët e amvisërisë që konsumojnë deri në 600 kilovat, në muaj si dhe bizneset e Kosovës. Po ashtu, kemi zvogëluar ndikimin nga rritja e çmimeve të konsumatorëve shtëpiakë, të cilët konsumojnë mbi 600 kilovat, e subvencioni i qeverisë në dispozicion që nuk është thënë të shpenzohet e që varet edhe çmimet në të ardhmen të energjisë në bursën ndërkombëtare do të zbus dukshëm rritjen tarifore”, ka thënë Kurti.
Sa i përket situatës në veri të Kosovës, Kurti tha se është problem i trashëguar dhe se nuk është i thjeshtë licencimi në këtë pjesë të vendit.
“Në veri të Kosovës konsumohet energjia elektrike dhe nuk paguhet. Në njërën anë e kuptojmë rëndësinë e të drejtës për t’u furnizuar me energjinë elektrike dhe kjo është një drejtë universale për qytetarët e Kosovës. Ajo çfarë shpenzohet duhet edhe të paguhet dhe para gati një dekade kjo çështje është politizuar dhe madje ka pasur edhe marrëveshje në Bruksel që nuk është zbatuar… Arsyeja e mos-pagesës lidhet edhe me strukturat ilegale sepse unë besojë që qytetari i zakonshëm serb është i vetëdijshëm që duhet të paguajë energjinë elektrik”, tha ai.
Kurti tha se për t’u siguruar që Kosova do të pavarësohet në aspektin energjetik, po planifikojnë të shpallin ankandet e para për ndërtimin e kapaciteteve të reja.
“Po planifikojmë të shpallim ankandet e para për ndërtimin e kapaciteteve të reja të pastra dhe si aksionar të vetëm të KEK-ut. Rivitalizimin e njësive të tanishme dhe diversifikimin e burimeve nga të cilat varet prodhimi i energjisë në këtë ndërmarrje. Njëkohësisht rritja e tarifave nuk i ka prekur bizneset , në këtë mënyrë do të kufizohet ndikimi në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve që ofrohen në ekonominë tonë. Qeveria e Kosovës do të rrisë mbështetjen për qytetarët në nevojë që nuk e kanë të mundur të paguajnë. Ata që do të preken më së shumti do të kenë një rrjet sigurie, që do tu garantojmë konsumin për nevojat e tyre”, tha shefi i ekzekutivit.
Në konferencën para mediave, ai tha qeveria nuk mund të ndikojë në vendimet e marra nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Ai ka fajësuar qeveritë e kaluara për gjendjen në të cilat janë termocentralet, duke thënë se për 20 vjet Kosova është lënë nën mëshirë tregtarëve të energjisë.
“Po qe se nuk do të ishte vjedhur pa mëshirshëm, njësoj edhe si në tenderët e panumërt sot gjendja në prodhim te kapacitetet e KEK-ut do të ishte krejtësisht ndryshe, e nuk do të kishte rënie të vazhdueshme të blloqeve siç po na ngjan. Andaj edhe këto nuk mund t’i quajmë 1 miliard investime, por mbi 1 miliard mjete për KEK-un. Ku një pjesë e konsiderueshme ku ne nuk mund t’i quajmë investime. Në Kosovë prej nga viti 2005 ka filluar të flitet për ndërtim të kapaciteteve të reja prodhuese, sikur të ishte filluar me kohë ndërrimi i kapaciteteve të reja apo edhe rindërtimi i Kosovës A, sot nuk do të kishte nevojë fare për import të energjisë, por përkundrazi kriza energjetike sot do të mund të sillte përfitime për prodhuesit vendor”, tha ai.
Kurti shtoi se investitorët e huajë që kanë ardhur në Kosovë janë ballafaquar me kërkesa jo-ligjore. Ndërkaq, sa i përket çmimeve të tanishme të tregut të energjisë elektrike ai tha se kjo gjendje tregon që kriza do të zgjas edhe pas dimrit.