Nënshkruhet memorandum mirëkuptimi ndërmjet kryetarëve të komunave të rajonit të Prishtinës për zhvillimin e një plani ndërkomunal për menaxhimin e integruar të mbeturinave dhe marrëveshjes për bashkëpunim ndërkomunal për punë të përbashkët në sektorin e menaxhimit të mbeturinave.
Zëvendësministrja e MMHPI-së, Linda Çavdarbasha, ka thënë se kjo ministri është e përkushtuar që t’i mbështes komunat e Kosovës për menaxhimin dhe klasifikimin e mbeturinave.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama këtë memorandum e ka quajtur nismë të mirëfilltë për komunat e rajonit të Prishtinës. Rama ka kërkuar mbështetje edhe për fusha tjera për komunat.
Menaxheri i projektit në GIZ, Stefan Mager, theksoi se nënshkrimi i këtij memorandumi shënon hapin e parë të procesit për krijimin e planit të integruar të mbeturinave.
Qëllimi kryesor i punëtorisë është që struktura drejtuese e komunave në rajonin e Prishtinës të informohet për konceptin e bashkëpunimit ndërkomunal dhe zhvillimin e procesit dhe që kryetarët e komunave të rajonit të Prishtinës të nënshkruajnë memorandumin e mirëkuptimit, duke shërbyer si pikë hyrëse drejt hartimit të planit të integruar ndër-komunal për menaxhimin e mbeturinave dhe marrëveshjes për bashkëpunim ndër-komunal në sektorin e menaxhimit të integruar të mbeturinave.