Kryetarët e Komunave nuk do të marrin pjesë në takimin e sotëm të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) që është paraparë të mbahet sot në ora 14:00 për të diskutuar për situatën epidemiologjike në vend.
Kryetarët nuk do të marrin pjesë meqë në këtë takim nuk është ftuar edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK). Kështu ka bërë të ditur AKK nëpërmjet një njoftimi.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) pas konsultimit me kryetar të komunave ka vendosur që të kërkojë nga Kryetarët e Komunave të MOS marrin pjesë në takimin e ftuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për ditën e sotme në ora 14.00 për të diskutuar për situatën epidemiologjike në Kosovë. Arsyeja është që AKK-ja si përfaqësues dhe trup i komunave nuk është ftuar në këtë takim. MAPL-ja ka ftuar vetëm kryetarët. Mosftesa për Asociacionin e Komunave të Kosovës bëhet me qëllime përçarëse në mes AKK dhe kryetarëve. Kryetarët e Komunave vlerësojnë se uniteti i kryetarëve është i domosdoshëm dhe që të gjithë kryetarët do të mbeten të bashkuar si pushtet lokal që të ruhet ajo që është ndërtuar për më shumë se dy dekada në përfaqësimin e denjë të qeverisjes lokale ndaj nivelit qendror. Kryetarët vlerësojnë që pa AKK-në nuk duhet të marrim pjesë në këtë takim meqë nuk është hera e parë që niveli qendror vepron në këtë mënyrë”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se AKK është i komunave dhe që ministritë duhet ta shohin si aleat e jo ta injorojnë.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës është i Komunave dhe Ministritë duhet ta shohin atë si aleat e jo ta injorojnë. Nëse ministritë e injorojnë AKK-në, ma automatizim injorohen vetë kryetarët dhe Komunat e Kosovës. Vlen të ceket që para një kohe AKK është larguar në mënyrë arbitrare nga komiteti anticovid si dhe ditë më parë Qeveria e Kosovës miratoi plotësim ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale pa konsultime me Kryetarët e Komunave. I bëjmë thirrje MAPL, Ministrive dhe Qeverisë që të ndalojnë injorimin e AKK-se si përfaqësues i kryetarëve dhe komunave në Republikën e Kosovës”, përfundon njoftimi.