Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe ministra të kabinetit qeveritarë, kanë bërë homazhe te shtatorja e heroit, Zahir Pajaziti në Prishtinë, me rastin e 26-vjetorit të rënies së tij, së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.
Presidentja Osmani tha se rënia e Zahir Pajazitit me shokë është një prej ditëve më të lavdishme të historisë së UÇK-së.
“Në këtë 26 vjetor të rënies së heronjve tanë i përkujtojmë si lajmëtar të lirisë, i përkujtojmë për frymëzimin e jashtëzakonshëm që dhanë Zahiri me shokë për gjithë ushtarët e UCK-së. Për të gjithë ata që luftonin së bashku me Zahirin duke iu dhënë frymëzim më të madh, por edhe për të gjithë të tjerët që iu bashkuan UÇK-së edhe pas rënies së tyre. Kjo ditë është një prej ditëve më të lavdishme të historisë së UÇK-së dhe gjithë Republikës së Kosovës. Republikë e cila u ndërtua për shkak të themeleve të forta dhe ato mbesin të tilla pasi janë ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve dhe heronjve tanë”, tha ajo.
Ndërkaq kryeministri Kurti tha se Zahir Pajaziti me shokë ishin kushtrimi për luftë çlirimtare. Ai shtoi se kujtimi për ta, tregon sa i madh ishte çmimi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ata ishin kushtrimi për luftë çlirimtare, por njëkohësisht ishin edhe pararendës të UCK-së, pasi ata kryenin aksione çlirimtare edhe para se të fillonte lufta. Duke kujtuar dhe përkujtuar komandantin Zahir Pajaziti dhe dëshmorët e tjerë të kombit, në të njëjtën kohë tregojmë se sa i madh ishte çmimi për lirinë tonë, shtetin tonë dhe pavarësinë tonë. Po ashtu sa i vlefshëm është për të tashmen dhe ardhmen tonë ky kujtim dhe përkujtim që bëhet si nga institucionet, po ashtu edhe nga qytetarët e vendit tonë”, theksoi ai.
Ndërsa, zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se sakrifica e Zahir Pajazitit me shokë është udhërrëfyes për Kosovën.
“Në një ditë si kjo e sotmja është e rëndësishme të kujtohet sakrifica e tre heronjve që po përkujtojmë sot. Të gjithë ushtarët trima të UÇK-së, gjithë ata që rezistuan në format më të ndryshme deri në lirinë e Kosovës. Por është edhe më e rëndësishme që kjo sakrificë të jetë udhërrëfyesi ynë në punët e shumta që kemi për të bërë çdo ditë”, shtoi ajo.
Kujtojmë që më 31 janar të vitit 1997 ka ndodhur njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha kanë qenë duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre ishte zbuluar nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre kanë rënë heroikisht në luftë me ta.