Inaugurimi i Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut ka mbledhur sot krerët e institucioneve kryesore të vendit. Përmes këtij këshilli synohet bashkërendimi institucional për fuqizim të demokracisë përmes tri shtyllave, luftën ndaj korrupsionit, autoritarizmit dhe avancimit të të drejtave të njeriut.
Themeluesja e këtij Këshilli, presidentja Vjosa Osmani, tha se i njëjti është garanci për angazhim sistematik dhe institucional të përmbushjes së zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci të organizuar vitin e kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden.
“Ky Këshill të cilin e kam themeluar do të shërbejë si forum i lartë koordinues, qëllimi parësor i të cilit është koordinimi dhe menaxhimi i punës në drejtim të përmbushjes së zotimeve të Republikës së Kosovës në kuadër të Samitit për Demokraci dhe përmbushjen e zotimeve të tjera të institucioneve që ndërlidhen me forcimin e sundimit të ligjit, forcimin e demokracisë, forcimin e rolit të gruas në shoqërinë kosovare, avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe mediet… Njëkohësisht ky Këshill është garancia jonë për angazhimin dhe bashkërendimin sistematik dhe institucional në drejtim të përmbushjes së zotimeve edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtar dhe në veçanti ShBA-në. Më vjen mirë që ky Këshill reflekton tri shtyllat kryesore që i kemi bërë më 9 dhjetor. Respektivisht, shtylla e parë sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, shtylla e dytë, luftimi i autoritarizmit dhe shtylla e tretë, avancimi i të drejtave të njeriut, diversitetit, gjithëpërfshirës me fokus avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore”, tha ajo.
Agresioni rus ndaj Ukrainës, sipas kryetarit të Kuvendit të Kuvendit, Glauk Konjufca dëshmon se demokracia nuk mund të qëndrojë vet, por nevojiten aleanca me demokracitë tjera.
“Siç po e shohim edhe prej ngjarjeve të fundit në botë dhe invazionit të Rusisë mbi Ukrainën, demokracia nuk mund të qëndrojë vet, por ajo nevojitet që të ketë aleanca me demokracitë e tjera, për sa kohë edhe në botë po e shohim se autokratët janë më të lidhur se kurrë me njëri-tjetrin. Demokracia, siç e tha edhe presidentja nuk është vetëm një gjendje, por një proces që duhet të punojnë të gjithë të mirëmbahet, thellohet dhe forcohet në çdo moment”, theksoi Konjufca.
Ndërsa, kryeministri, Albin Kurti tha se në një vit qeverisje kanë shënuar progres në fushën e luftimit të korrupsionit, fuqizim të të drejtave të njeriut dhe në angazhimin kundër autoritarizmit kanë vendosur sanksione ndaj federatës ruse, pas agresionit në Ukrainë.
Ai tha se vlerat demokratike tani janë më të rëndësishme se kurrë më parë, derisa theksoi se po të ishte Serbia vend demokratik nuk do të përbënte kërcenim ndaj paqes në rajon.
“Po të ishte Rusia vend i mirëfilltë demokratik ajo kurrë nuk do të donte të pushtonte Ukrainën. Po të ishte edhe Serbia një vend demokratik as ajo nuk do të përbënte një kërcenim kaq të rrezikshëm ndaj paqes së qëndrueshme në rajonin tonë. Duke marrë parasysh zhvillimet e kohëve të fundit, përpjekjet e presidentit Biden për të promovuar vlera demokratike në mbarë botën, ato janë më të rëndësishme tani se kurrë më parë, kudo dhe posaçërisht në rajonin tonë”, tha ai.
Themelimin e këtij këshilli e përshëndeti edhe drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi. Ndërkohë, pjesëmarrësit e tjerë, krerët e institucioneve gjyqësore, prokuroriale, avokati i popullit dhe disa nga ministrat u zotuan për angazhim sistematik për fuqizim të demokracisë.