Përkrahje për bizneset e komunës së Shtimes kanë premtuar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi dhe kandidati për kryetar të kësaj komune Naim Ismajli, gjatë vizitës që sot i kanë bërë zonën ekonomike në këtë komunë.
Kryetari Memli Krasniqi tha se qeverisja e PDK-së do të vazhdojë të jetë afër bizneseve të Shtimes dhe do t’u krijojë kushte më të favorshme për të ushtruar veprimtarinë e tyre.
“Gëzohem shumë për faktin që të gjithë kanë një vlerësim jashtëzakonisht pozitiv për punën që është bërë deri më tash nga ana e qeverisjes komunale… Puna që e ka bërë z.Ismajli meriton të vlerësohet nga të gjithë dhe padyshim që të marrë edhe një mandat të ri, sepse e pat edhe ju sot tek zona ekonomike e Shtimes një punë e jashtëzakonshme që është iniciuar dhe edhe realizuar nga qeverisja e z.Ismajli, ka sjellë jo vetëm disa biznese tepër serioze, por ka krijuar vende të reja të punës dhe ka ndikuar drejtpërdrejtë në ekonominë komunale”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Shtimes, njëherësh kandidati i PDK-së për këtë komunë, Naim Ismajli, u shpreh se edhe gjatë katër viteve të ardhshme do të jetë afër bizneseve lokale.
“Sot patriotizëm në vendin tonë është që t’i mbështesim bizneset dhe bizneset të bëjnë punën e tyre të lirë, sepse ata po zbusin papunësinë, po i japin kuptim zhvillimit ekonomik dhe unë si kryetar i komunës dhe si kandidat për kryetar për katër vitet e ardhshme do të jem një mbështetës i fuqishëm i bizneseve sepse nga këto biznese, nga prodhimet e këtyre bizneseve, nga të ardhurat që po dalin nga këto biznese zhvillohet infrastruktura dhe mirëqenia e qytetarëve. Ky është fokusi dhe angazhimi ynë, ne do të krijojmë parakushte për këto biznese”, tha ai.
Në zgjedhjet e 17 tetorit, Naim Ismajli mori 44.64% kurse Qemajl Aliu LVV 45.10%.