Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi të pezullojë partinë Republikanët e Kosovës për shkak të mos mbajtjes së kuvendit të brendshëm zgjedhor në afatet e parapara me legjislacionin në fuqi. Ky vendim u mor me vota unanime nga të gjithë anëtarët e KQZ-së.
Drejtori i Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të partive politike në KQZ, Besnik Buzhala, tha se partia Republikanët e Kosovës është dashur të mbajnë kuvendin e ri zgjedhor në fillim të këtij muaji por nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Sipas tij, kjo parti ka afat 45 ditë që të mbajë kuvendin zgjedhor nëse dëshiron të hiqet masa e pezullimit nga KQZ.
“Sipas rregullores nr.1/2023 për regjistrim dhe funksionim të partive politike, partitë politike obligohen çdo 48 muaj të mbajnë kuvendin për të zgjedhur kryetarin dhe organet e tjera të partisë. Sipas të dhënave që kemi, partia Republikanët e Kosovës është regjistruar si parti me datë 12.05.2014 dhe kjo parti ka qenë e obliguar që të mbajë kuvendin e radhës me datë 03.08.2023 ku nuk e ka mbajtur kuvendin e radhës, siç ka qenë e obliguar dhe në bazë të rregullës që i kemi në fuqi kjo parti politike duhet të pezullohet me kushtin që brenda 45 ditëve të mbajë kuvendin zgjedhor. Andaj rekomandimi i Zyrës (për regjistrim të partive…) është që të pezullohet partia politike e regjistruar Republikanët e Kosovës sipas nenit 5 të rregullores nr. 1/2023”, tha Buzhala.
Vendimi u mor me 11 vota “pro”, ndërsa KQZ vijoi mbledhjen me dyer të mbyllura për çështje të brendshme të saj.