UBT News

​KQZ: Në formularin e rezultateve nuk bartën votat e kandidatëve që nuk janë certifikuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë detaje lidhur me votimin dhe procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë, pas vendimit të Gjykatës Supreme për largimin nga lista të kandidatëve me aktakuza.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se nëse një subjekt politik ka të certifikuar katër kandidatë dhe në fletëvotim janë shënjuar pesë numra, në Fletat Llogaritëse të Kandidatëve evidentohen këto pesë shënjime, por ato nuk barten të gjitha në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve.

Sipas tij, në këta formularë barten vetëm votat e kandidatëve të certifikuar. Lidhur me fletëvotimet e vlefshme dhe të pavlefshme, Elezi ka thënë se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i ndryshuar në vitin 2010, ka qartësuar mënyrën e votimit.

“Sipas nenit 110, paragrafi 4, votuesi pajiset me një fletëvotim në zgjedhje dhe a). e shënjon atë me votën për një subjekt politik, dhe b) mund që po ashtu të shënojë atë me vota për deri në 5 kandidatë nga lista e subjektit politik. Ndërsa, në paragrafin 5 theksohet se “nëse një fletëvotim shënjohet për më shumë se 5 kandidatë, atëherë numërohet vetëm vota e hedhur për subjektin politik”. Pra, votuesi duhet të zgjedhë vetëm 1 subjekt politik dhe më së shumti 5 kandidatë nga ai subjekt politik”, ka thënë ai.

Kurse, lidhur me evidentimin e të dhënave nga numërimi, Elezi ka thënë se pas përfundimit të votimit, anëtarët e Këshillit të Vendvotimit, të cilët përfaqësojnë subjektet politike, numërojnë fillimisht votat për subjektet politike duke krijuar dengje me votat e vlefshme për secilën prej tyre.

“Pas këtij procesi, Këshilli i Vendvotimit numëron pjesën tjetër të fletëvotimit: votat e kandidatëve. Këto të dhëna paraqiten në Fletat Llogaritëse të Kandidatëve (FLLK) për secilin fletëvotim. Në këto fleta paraqiten të dhënat për çdo numër. Pas kësaj, bëhet bartja e totalit të votave për secilin kandidat të certifikuar. Pra, nëse një subjekt politik ka të certifikuar 4 kandidatë dhe në fletëvotim janë shënjuar 5 numra, në FLLK evidentohen këto 5 shënjime, por ato nuk barten të gjitha në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve. Në këta formularë bartën vetëm votat e kandidatëve të certifikuar”, ka thënë ai.

Exit mobile version