Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se i kanë kërkuar KFOR-it mbylljen e hapësirës ajrore të Kosovës për Rusinë.
Gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporës, kryediplomatja tha se gjatë kësaj jave do të marrin vendim për pranimin e 5 mijë refugjatëve nga Ukraina. Para deputetëve, ajo foli edhe për gjendjen e sigurisë në Kosovë.
“Nuk kemi sinjale konkrete për një sulm ushtarak të kujdo qoftë në Kosovë, por që duhet të jemi shumë vigjilent dhe të përgatitur, pasi asnjëherë nuk e dimë. Shumë prej tyre e kanë nënvlerësuar rrezikun rus në Ukrainë dhe nuk kanë besuar se mund të vijë deri te një luftë e hapur. Nuk duam që Kosova të bie pre e vlerësimeve të gabuara dhe jo të sakta. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me gjithë partnerët dhe aleatët tanë me qëllim që gjendja dhe zhvillimet në rajon të vëzhgohen me një kujdes të jashtëzakonshëm. E kam të rëndësishme të them që në Kosovë nuk ka nevojë askush të ndjej panik rreth situatës, pasi nuk ka asnjë parashenjë që ndodhemi pranë një konflikti të armatosur me askënd”, tha ajo.