Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRrE) dhe Enti Rregullator i Energjisë së Shqipërisë (ERE), kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi për njohjen reciproke të licencave për veprimtarinë e tregtimit dhe furnizimit të energjisë elektrike.
Kjo marrëveshje u quajt një hap i rëndësishëm drejt integrimit te tregut të energjisë elektrike në mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu tha se marrëveshja e sotme është në funksion të integrimit të tregut të energjisë elektrike në mes dy vendeve.
“Me qëllim të integrimit të dy tregjeve, sot ne nënshkruajmë memorandumin për njohjen e ndërsjellë të licencave. Një treg i përbashkët do t’i hap rrugë investimeve të reja në sektorin e energjisë”, tha ai.
Ndërkaq, Kryesues i Bordit të ERE, Petrit Ahmeti është shprehur i bindur se kjo marrëveshje e nënshkruar sot do të gjejë menjëherë zbatim në te dyja vendet.
“Këto dokumente që janë hapat e parë të një bashkëpunimi është si një kurorëzim për të pasur një bashkëpunim të frytshëm në mes të dy vendeve. E kam besimin e plotë që do të funksionojë”, tha ai.
Këtë marrëveshje e kanë quajtur tejet të rëndësishme edhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizavanolli dhe zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Ilir Bejtja.