Është themeluar komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.
Në mbledhjen e parë, kryetari i këtij komisioni, Driton Selmanaj u ka kërkuar anëtarëve që të ketë angazhim më të madh në këtë drejtim duke i sjellë në komisionet e radhës edhe dokumentacionet për hetim.
Selmanaj gjithashtu ka bërë të ditur se ky komision do të ketë afat kohor deri në fund të vitit. Ai ka kërkuar nga komisioni që të gjitha pyetjet t’iu drejtohen KOSTT-t, ZRRE-së dhe Qeverisë.
“Komisioni do të ketë mandat gjashtëmujor, nuk kemi kohë të saktë sa do të zgjasë, meqë nuk dihet si do të zhvillohen hetimet, por afërsisht është fundi i vitit. Çështja e parë në emër të komisionit është që pyetjet duhet t’i drejtohen institucioneve si KOSTT, ZReE-së dhe Qeverisë”, tha ai.
Anëtarja e Komisionit, Mimoza Kusari – Lila tha se në mbledhjen e radhës duhet të bëhet edhe plani ku në bazë të vlerësimit të bëhet edhe intervistimi.
Ndërsa deputeti Pal Lekaj tha se nevojitet dokumentacioni në mënyrë që të nisin hetimet.
Në vijim ju paraqesim përbërjen e anëtarëve të komisionit për energji: Driton Selmanaj – kryesues, Artan Abrashi, Enver Haliti, Jeta Statovci, Mimoza Kusari Lila, Ferat Shala, Eliza Hoxha, Besian Mustafa, Pal Lekaj, Adem Hoxha dhe Fridon Lala.
Gjysma e deputetëve nuk kanë qenë në ditën e parë të konstituimit të komisionit për menaxhimin e krizës energjetike, pasi siç u tha nga kryetari Selmanaj, shumica prej tyre janë jashtë vendit.