Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi sot se ka vullnet të shumë shteteve ta mbështesin Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës. Ai u shpreh optimist për dorëzimin e aplikacionit dhe anëtarësimin në këtë institucion të BE-së.
“Për shkak të atij kontributi të gjatë dhe që është fokusuar, mendoj se viti i duhur është këtë vit për të aplikuar Kosova në Këshill të Evropës, aq më shumë se ka pas një ndryshim të rrethanave ndërkombëtare, pas invazionit të paprovokuar të Rusisë mbi Ukrainën. Po ashtu edhe vullneti i shumë shteteve që e kanë njohur Kosovës është që të na mbështesin drejtpërdrejt, bile e kanë dhënë tashmë, siç ishte Gjermania, deklarata e fundit e kancelarit Scholz para Vuçiqit për përkrahjen e Kosovës në Këshill të Evropës. Kjo na bënë optimistë se është e mundshme dhe duhet të ia dalim në këtë drejtim”, tha ai.
Kryeparlamentari tha se përgjatë 1 viti është bërë punë e madhe për dorëzimin e aplikacionit, por nuk ia hoqi meritat edhe ish-qeverive të kaluara.
“Kemi bërë gjithçka çka është e mundshme me të gjitha institucionet e Kosovës, kemi edhe delegacionin tonë atje që është i përhershëm i Kosovës në kuadër të parlamentit dhe merr pjesë rregullisht në asamblenë e Këshillit të Evropës. Është bërë punë e madhe së paku në një vit, por puna ka qenë edhe në kuadër të qeverive të mëhershme, kurrë nuk është ndalur ajo punë. Edhe vet kur kam qenë në opozitë kam qenë në kuadër të delegacionit në Këshill të Evropës dhe kemi punuar të gjithë së bashku, pavarësisht partive politike, pasi ky është sukses i Kosovës dhe jo i ndonjë partie të veçantë”, shtoi Konjufca.
Këto komente Konjufca i bëri pas homazheve te varri i heroit, Agron Rrahmani në 24-vjetorin e rënies së tij.
“Është njëra prej figurave që ka dhënë kontribut të drejtpërdrejtë dhe të madh që populli jonë sot të jetojë i lirë në Kosovën tonë. Ai ishte bashkëpunëtor edhe me Bahri Fazliun dhe veprimtarë të tjerë të cilët u bashkuan në UÇK-në”, tha ai.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme elektronike veçse miratoi nismën për dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në Këshill të Evropës.