Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, e ka quajtur të domosdoshëm ndryshimin në komunën e Kaçanikut.
Duke i dhënë mbështetje kandidatit të LVV-së, Jeton Raka për kryetar të Kaçanikut, Konjufca, i cili është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, kërkoi mbështetje dhe angazhim nga qytetarët pa dallim politik për t’ia dhënë besimin Rakës.
“(Jetoni) është shndërruar sidomos në javët e fundit në emëruesin e përbashkët të gjithë atyre qe e konsiderojmë të nevojshëm ndryshimin në Kaçanik. Pavarësisht a janë vetëm Vetëvendosje si votues, apo partive të tjera, kushdo qe mendon se Kaçaniku duhet të merr një kah tjetër, unë mendoj se më 14 nëntor do t’ia jap besimin Jeton Rakës me një model të përgjegjshëm, i cili është afër me qytetin dhe fshatrat, si dhe të gjitha problemet i zgjidh duke bashkëpunuar. Prandaj po them se është me rëndësi që deri në momentin e fundit të angazhohemi pa u lodh me një mirësjellje në mënyrë që t’i bindim qytetarët se e kanë një mundësi të artë në duart e tyre”, tha ai.
Ndërsa, pretendenti për të parin e Kaçanikut, Jeton Raka tha se pas 14 nëntorit do ketë një qeverisje tjetër në Kaçanik, e jo siç tha, e atyre që e kanë zhvatur buxhetin komunal.
“Përkushtimi i qeverisë duhet të jetë motiv për ne që të angazhohemi më shumë që të përmbyllim fitoren më 14 nëntor. Pasi nga 14 nëntor do të jetë një qeverisje tjetër, e pastër dhe ndershme një qeverisje që nuk e zhvat buxhetin siç e kanë zhvatur të kaluarit”, tha Raka.
Përkrahje Rakës i dhanë edhe simpatizuesit që ishin mbledhur në këtë tubim elektoral në Kaçanik.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, Raka kundërkandidat e ka kryetarin aktual të Kaçanikut, njëherësh kandidatin e PDK-së, Besim Ilazi.