Katër kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media kanë bërë të ditur se nuk janë palë e padisë që Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka ngritur kundër Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit si dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tyre, Asociacioni i Komunave të Kosovës është bërë vegël politike antiqeveritare.
Në këtë konferencë morën pjesë kryetari i komunës së Podujevës ku edhe u mbajt ky deklarim publik, Shpejtim Bulliqi, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ai i Shtimes, Qemajl Aliu dhe kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rrahimaj.
Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se kjo padi nuk është bërë në kohë dhe as karshi adresave të duhura. Sipas tij padia do të duhej të ngritej ndaj atyre që e kanë nënshkruar këtë padi në qeveritë e kaluara.
“Ne si kryetar komunash nuk jemi palë në këtë padi sepse mendojmë se kjo padi do të kishte kuptimin po të bëhej në kohën e duhur dhe në adresat e duhura, që do të duhej të ishte drejtuar ndaj atyre ministrave që kanë nënshkruar dhe asnjëherë nuk kanë ndjekur rrugën ligjore për zbatimin e kësaj kontrate kolektive. Andaj mendojmë që inicimi i kësaj padie nga ana e Asociacionit të Komunave të Kosovës edhe njëherë dëshmonë se ky Asociacion fatkeqësisht është kthyer në një vegël politike antiqeveritare dhe larg misionit të saj që ta përmbush qëllimin komunave dhe qytetarëve. Ne si kryetar të komunave jemi shumë të interesuar që të gjendet zgjidhja e këtij problemi të kahmotshëm i cili prek drejtpërdrejtë punëtorët e sektorit publik, por jo të keqpërdorët nga një Asociacion politik që shtynë përpara agjenda ditore politike antiqeveritare dhe të cilat nuk e kanë fare fokus zgjidhjen e këtij problemi”, tha ai.
I pari i Podujevës u shpreh se vazhdimisht i kanë shprehur pakënaqësitë që kanë karshi Asociacionit të Komunave të Kosovës lidhur me menaxhimin dhe mospunën e këtij Asociacioni.
Bulliqi tha se nuk është qeveria Kurti ajo e cila i ka nënshkruar këto kontrata kolektive, prandaj konsiderojmë se AKK nuk po mbron interesin e komunave por politikat ditore.
“Në kohën e nënshkrimit të këtyre kontratave në Asocacionin kanë qenë po këta njërëz që menaxhojnë dhe udhëheqin me ta dhe ju e dini shumë mirë që asnjëherë nuk e kanë ngritur zërin për me mund me zgjidh këtë problem. Prandaj, ne si kryetar komunash mendojmë se krejt kjo çka është duke u bërë nga ana e këtij Asociacioni me qëllim që të krijohet edhe më tëpër pakënaqësi lidhur me mos zbatimin e kontratës kolektive. Gjithsesi jemi duke punuar shumë në bashkëpunim edhe me qeverinë që ky problem i kahmotshëm të zgjidhet për të gjithë shërbyesit civil të Kosovës… ne edhe më herët kemi vërejtur që ky Asociacion më nuk e ka interesin e komunave për ta mbrotjur por e ka interesin e politikës ditore që të përmbush agjendat që ia ka vënë vetit përpara”, u shpreh kryetari i Podujevës.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi u shpreh se jo vetem ne si komuna që udhëhiqen nga LVV, por pak a shumë në të gjitha komunat janë duke u realizuar këto kërkesa të sektorit public. Sipas tij duhet të ketë një zgjidhje por jo politike.
“Sigurisht që si komuna jemi të dëmtuara sepse një sasi e madhe e buxhetit tonë është kah shkon përmes proceseve të ndryshme gjyqësore dhe sigurisht që jo vetem ne si komuna por pak a shumë në të gjitha komunat janë duke u realizuar këto kërkesa të sektorit publik. Unë besoj që kjo duhet të ketë një zgjidhje por zgjidhja nuk duhet të jetë politike, çfarë po pretendohet ta bëjnë sepse edhe AKK e di që kjo kontratë është nënshkruar pa bazë ligjore sepse ministritë përkatëse nuk kanë ndjekur bazën ligjore për ta vënë në funksion dhe në shërbim të punëtorëve publik”, tha ai.
Lidhur me deklarimin e ish kryeministrit, Avdullah Hoti se projekte po përfitojnë vetëm komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, Bulliqi tha se kjo nuk qëndron dhe se Qeveria Kurti po mbështet të gjitha komunat pavarësisht orientimit politik.
“Diçka e tillë nuk qëndron sigurisht që zoti Hoti ka vepruar në këtë mënyrë në punën e qeverisjes së tij sipas të gjitha gjasave dhe tash mbetet në mendjen e tyre qe diçka e tillë po ndodh për arsye se qeveria Kurti është duke i trajtuar barabarsisht të gjitha komunat pavarësisht orientimit politik”, u shpreh ai.
E paraditën e sotme 26 komuna të Kosovës të udhëhequra nga Asociacioni i Komunavë të Kosovës kanë ngritur padi kundër MASHTI-it dhe MSh-së lidhur me zbatimin e kontratës kolektive.