Komunat e Kosovës do ta dërgojnë Ligjin për Tatimin në pronën e paluajtshme në Gjykatën Kushtetuese.
Siç njofton Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), komunat me miratimin e këtij ligji në Kuvendin e Kosovës do të humbasin me dhjetëra miliona euro dhe miratimi i këtij ligji pa konsulta paraprake me komunat e ka cenuar autonominë lokale financiare.
“Duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, ku thuhet që palët e autorizuara për ngritjen e rasteve në Gjykatë janë edhe Komunat, atëherë Bordi i AKK-së duke marrë parasysh që komuna si Institucion shtetëror është e autorizuar që të kontestojë kushteturtshmërinë e ligjeve dhe akteve ligjore, i rekomandon komunat që ta dërgojnë këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e tij Kushtetues”, thuhet në njoftimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Sipas AKK-së me këtë Ligj janë cenuar rëndë përgjegjësitë komunale dhe se ky ligj ka ndikim të drejtpërdrejt në zvogëlimin e të hyrave të komunës, afektim në projektet kapitale dhe debalancim mes projeksioneve investuese dhe të hyrave vetanake, si të hyrat kryesore të pushtetit lokal.
Më tej në reagimin e AKK-së thuhet se Ministria e Financave, Transfereve dhe e Punës (MFTP) mori vendim që ta ndryshoj Ligjin mbi Tatimin në Pronën e Palujatshme ku gjatë procesit të amandamentimit nuk i konsultoi fare Komunat e Kosovës.
“Kryetarët e Komunave dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga niveli qendror që të konsultohet sa i përket amandamentimit të këtij ligji sepse ky ligj i prek në mënyrë të drejpërdrejtë buxhetet e Komunave. Pastaj, MFTP-ja e dërgoi për miratim në Qeverinë e Republikës së Kosovës këtë projekt ligj pa konsulta me Komunat. Qeveria e miratoi si të tillë dhe e procedoi për miratim në Parlamentin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Për më tepër AKK-ja edhe në këtë rast ka kërkuar nga Parlamenti i Kosovës që të ketë debat dhe konsultime me Komunat sa i përket këtij Projekt ligji, sepse ka të bëj me autonominë financiare të Komunave dhe i cili ligj ka impakt të drejtpërdrejt në buxhetet e tyre e së këndejmi edhe në projektet kapitale sepse tatimi në Pronë është e hyrë vetanake e komunave.
“As Parlamenti i Kosovës nuk e diskutoj këtë projekt ligj me Komunat dhe më procedura të përshpejtuara e miratoi edhe në lexim të dytë. Në këtë ligj, në Kapitullin II / Falja e Tatimit në Pronë për vitin tatimor 2023 Neni 11/B thuhet që: Pika 1. Shuma e faljes së Tatimit në Pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së Tatimit në Pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro në pajtim me dispozitat e këtij kapitulli. Pika 2. Vendimi për faljen e Tatimit në Pronë merret nga Kuvendi i Komunës i çdo komune më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, sipas kufizimit të përcaktuar në paragrafin 1 të këtij neni”, thuhet në reagim.