Komuna e Prishtinës ka marrë vendim për mbylljen e të gjitha lokaleve afariste në parqet e Prishtinës. Pas një aksioni në Parkun e Taukbahçes ku janë larguar 7 tarraca të lokaleve, zyrtarë të Komunës paralajmërojnë se ajo do të vazhdojë edhe në parqet e tjera. Në Parkun e Qytetit në lagjen e Muhaxherëve pronarëve të lokaleve iu është dhënë afat pesë ditë për t’u larguar, ndryshe këtë do ta bëjnë autoritetet përkatëse.
Drejtoresha e Drejtorisë së Parqeve në Komunën e Prishtinës, Fatime Hajdari, deklaroi se aksioni për lirimin e hapësirave të gjelbra është marrë pas ankesave të shumta të banorëve. Sipas saj, nuk do të ketë më leje për ushtrimin e veprimtarive të kafeneve dhe hapësirat do t’i kthehen qytetarëve e fëmijëve.
“Sektori i Rendit Komunal në kuadër të Drejtorisë së Inspeksionit ka marrë një aksion për mbylljen e lokaleve afariste në hapësirat publike, kryesisht në parqe, kjo ka ardhur si kërkesë e vazhdueshme prej qytetareve edhe prej ankesave të shumta që kemi pranuar për shkak që është tejkaluar me uzurpimet në hapësirat publike, kryesisht në hapësirat e gjelbra. Neve si Drejtori e Parqeve na gëzon ky aksion për arsye sepse më në fund hapësirat publike të gjelbra më në fund po i kthehen fëmijëve për çka janë të destinuara. Nuk do të ketë leje të reja (për hapjen e lokaleve) për arsye se po cenojnë edhe po degradojnë në vazhdimësi parqet edhe gjelbërimin aty. Duke pas parasysh edhe që Komuna e Prishtinës ka edhe ashtu pak hapësira të gjelbra ne jemi të obliguar që këto hapësira t’i mbrojmë edhe t’i ruajmë,” deklaroi Hajdari.
Në Parkun e Taukbahçes sot janë larguar 7 tarraca të lokaleve, që sipas drejtoreshës Hajdari nuk kanë pasur leje për ë shfrytëzuar hapësirën në të cilën kanë operuar. Ajo pranon se disa prej bizneseve fillimisht kanë pasur leje, por e kanë zgjeruar territorin ku kanë ushtruar aktivitetin e tyre dhe më pas leja ju është revokuar.
“Ju siç e dini në Parkun e Taukbahçes vetëm sot janë dislokuar 7 tarraca të lokaleve, vendimi vlen për të gjithë dhe është i njëjtë për të gjithë, duhet të përshëndesim punën e Drejtorisë së Inspeksionit në këtë rast e për më tepër ankesat e vazhdueshme në kuadër të dy drejtorive edhe në Drejtorinë e Parqeve edhe në Drejtorinë e Inspeksionit e kanë obliguar për të reaguar të njëjtën. Vlen të ceket se këto lokale nuk kanë pas leje, as paraprake, kanë pasur leje për shfrytëzim, disa prej tyre në fillim kur kanë filluar dhe pastaj me zgjerimin e vazhdueshëm që e kanë bërë dhe me uzurpimin e hapësirës publike është parë e arsyeshme dhe e nevojshme të mos ju vazhdohet leja”, tregon ajo.
Fati i njëjtë si lokaleve në Parkun e Taukbahçes duket se po i pret edhe lokalet në Parkun e Qytetit në lagjen e Muhaxherëve. Pronarët aty janë paralajmëruar se kanë kohë pesë ditë për t’u larguar, ndryshe do të ketë masa nga autoritetet komunale.
Burim Azemi, pronar i lokalit “Mia Park”, thotë se ky vendim është i gabuar pasi ato shërbejnë si pika argëtimi për qytetarët. Sipas tij, nëse largohen kafenetë në parqe, atëherë prishtinasit duhet që shkojnë në qytete të tjera ku lejohen kafenetë në parqe ose të detyrohen të qëndrojnë në hapësira të mbyllura.
“Është një vendim i gabueshëm nga Inspeksioni, kryesisht për shkak që të vetmit vend si qytetarë i kemi parqet, për shkak këto ditë të nxehta është i vetmi vend që mundemi të relaksohemi. Ne shumë vite jemi duke operuar këtë aktivitet në Parkun e Qytetit edhe në Parkun e Taukbahçes, kom parë që shumë njerëz i kanë frekuentuar këto kafe. Nëse ne nuk i kemi këto vende për frekuentim, ose për këtë lloj shërbimi, atëherë qytetarëve iu nevojitet të shkojnë nëpër qytete të tjera, ose të rrinë nëpër ambiente të mbyllura. Kështu që e shoh shumë të arsyeshme zhvillimin e aktivitetit nëpër kafe, nëpër hapësira sikur kjo tek ‘Mia Parku’ që është ndër pisha që besoj se është një investim i madh nëse rri dy orë ose tri ndër pisha, d.m.th dihen benefitet e saj për shkak të oksigjenit”, thotë ai.
Edhe Ramë Cakiqi që është pronar i një lokali në këtë park është kundër këtij vendimi. Ai thotë se operojnë prej 20 vitesh ndërsa deri para tri vitesh kanë pasur leje për punë. Sipas tij, kërkesën për vazhdim të lejes e ka bërë sërish por nuk ka marrë përgjigje.
Sipas tij, Inpeksioni i ka dhënë afat prej pesë ditësh për t’u larguar pa i dhënë sqarime shtesë.
“Punoj në park që 20 vite në sezon të verës, tash ka ardhur Inspeksioni na ka dhënë afat prej 5 ditësh të largohemi prej këtu, kurrfarë sqarimi tjetër, leje nuk na kanë dhënë, kërkesë kemi bërë për leje. Deri para tri vitesh kemi pas leje, që tri vite s’na kanë dhënë më leje edhe tash po duhet të largohemi prej këtu. Kam bërë edhe sot kërkesë për ripërtëritje të lejes, duhet të pritet dy javë tash deri të japin përgjigje”, deklaroi ai.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se aksionet për largimin e tarracave të lokaleve do të vazhdojnë edhe në pjesë të tjera të qytetit gjatë ditëve të ardhshme.