Komisioni parlamentar për Ekonomi me vota të pozitës ka miratuar të martën strategjinë për energji 2022-2031. Kundër kësaj strategjie ishte partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka vlerësuar se ky dokument i sjellë nga qeveria është i dëmshëm për vendin.
Me kërkesë të shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, Komisioni ka vendosur që sot të shqyrtohet kjo strategji, e cila nuk ka qenë në agjendë për diskutim.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë arsyetimit të kësaj strategjie në komisionin parlamentar ka thënë se vizioni i strategjisë është që të zhvillohet një sektor energjetik i qëndrueshëm, të integruar në tregun pan-evropian që garanton siguri të furnizimit me energji elektrike dhe përballueshmëri për qytetarët.
“Dokumenti paraqet një balancim të mirë në mes të kërkesave të qytetarëve, nevojave të sektorit për energji dhe për siguri të furnizimit ashtu edhe për të pasur një sektor energjetik më të pastër në të ardhmen. Në masë të madhe kemi një konsensus sa i përket vizionit të strategjisë dhe objektivave. Mendoj se kjo është një bazë e mirë që strategjia të jetë e realizueshme në të ardhmen, duke qenë se ka një pajtueshmëri të lartë në mes të të gjithë akterëve për atë se ku dëshirojmë të arrijmë. Vizioni i strategjisë së energjisë është që të zhvillojmë një sektor energjetik të qëndrueshëm, të integruar në tregun pan-evropian që garanton siguri të furnizimit me energji elektrike dhe përballueshmëri për qytetarët”, theksoi ajo.
Kryetari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, pati vërejte për strategjinë e energjisë, dhe pati kritika për partinë në pushtet që me urgjencë të shqyrtohet ky dokument në kuvend. Deputeti Shala ka thënë se strategjia ka dhjetëra shkelje procedurale dhe profesionale. Për këto arsye ai tha se do të jenë kundër kësaj strategjie.
“Është e pakuptimtë dhe jo serioze ftesën që na e keni bërë për një debat në institucionet e qeverisë. Dhe në të njëjtën kohë ju na ftoni për debat, për analizë, për diskutim, në anën tjetër kolegët e subjektit tuaj na propozojnë me procedurë të jashtëzakonshme futjen në rend dite për ta përcjellë në seancën e radhës. Pra, definitivisht është sjellje jo serioze institucionale, sepse ne parimisht kishim pasur vullnet që të kontribuojmë, por kështu po na jepni mundësinë zero për të komunikuar dhe kontribuar. Andaj, edhe qëndrimi ynë do të jetë kundër kësaj, sepse ka dhjetëra shkelje procedurale, profesionale, e strategjike të dëmshme dhe mbi të gjitha është një strategji që nuk ia kisha dëshiruar Kosovës në asnjë situatë kështu siç është dhe me procedurë siç po pretendohet të arrihet. Ne nuk kemi asnjë studim çka do të ndodhë me bateritë pas 5 vjetëve në fushën e mjedisit. Strategjia do të duhej të ishte kompatibile me projekte që ju keni nënshkruar tashmë”, tha ai.
Ndërsa, gjatë raportimit për nivelin e zbatimit të Ligjit për komunikimet elektronike në Komisionin për ekonomi, ministrja e Ekonomisë, Rizvanolli, ka thënë se shërbimet e komunikimeve elektronike të operatorit të telefonisë “Vala” janë duke mbuluar të gjitha pikat kufitare të vendit, përfshirë edhe dy pikat kufitare në veri të vendit.
Rizvanolli ka folur edhe për përpjekjet e qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës së shërbimeve të komunikimeve edhe në katër komunat veriore të vendit.
“Tani më “Vala” është prezentë në të gjitha pikat kufitare të vendit, duke i përfshirë edhe ato në komunat veriore të vendit. Telekomi është duke bërë investime në komunat veriore për aq sa ka mundësi financiare, duke i marrë parasysh të gjitha vështirësitë me të cilat jemi të njohur të gjithë. Ndërsa, ne si qeveri do t’i ndajmë 1 milion euro për Telekomin për të zhvilluar infrastrukturën në komunat veriore të vendit. Duhet thënë se ky investim do të bëhet, në mënyrë të tillë që të mund të përdoret edhe nga operatorët e tjera, pra nuk është ekskluziv për Telekomin”, theksoi ajo.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Driton Hyseni, ka theksuar se edhe pse ka ngritje të cilësisë së shërbimeve elektronike për qytetarët, ka ende telashe ose sfida për mbulimin e tërë vendit me shërbime telefonike dhe internetit.
Hyseni ka potencuar se ka një angazhim të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), për rritjen e shërbimeve të komunikimeve elektronike, por ka shtuar se nxitja e konkurrencës në këtë fushë është e nevojshme.
“Është evidente që një pjesë e madhe e territorit të Kosovës ka ende telashe bazike sa i përket pjesës së komunikimeve elektronike, respektivisht thirrjeve telefonike, por edhe shërbimeve të ofruara nga operatorët sa i takon shërbimeve me internet për qytetarët. Konsideroj që si ministri mund të keni një rol edhe më aktiv në drejtim të asaj se operatorët duhet të nxiten me masa konkrete sa i takon investimeve të mëtutjeshme në infrastrukturën e komunikimeve elektronike, sepse vetëm kjo siguron një shërbim edhe më cilësor për qytetarët e vendit… Shohim se ka një angazhim të ARKEP-it për monitorimin e brezave frekuencorë dhe për një qasje më të mirë për operatorët që i kemi në treg. Po ashtu, e konsideroj të nevojshme të kemi edhe një vlerësim nga e juaj për nxitje të konkurrencës që po bëhet në këtë fushë, sepse një konkurrencë e shëndoshë do të sjellë benefite të jashtëzakonshme për të gjithë shfrytëzuesit e shërbimeve”, theksoi Hyseni.