Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha Kollçaku ka bërë thirrje për vaksinim e vigjilencë nga institucionet shëndetësore. Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19, ajo ka theksuar se qytetarët duhet të vazhdojnë të marrin dozat e vaksinës dhe se para hospitalizimit të testohen për këtë virus.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, në seancë plenare ka bërë thirrje që qytetarët të vaksinohen, pasi që siç tha ajo, kohëve të fundit ka pasur interesim të vogël për imunizim.
“Kërkohet vigjilencë e shtuar nga institucionet shëndetësore ku përveç vazhdimit të testimit të qytetarëve, kërkohet që të gjithë të hospitalizuarit fillimisht të testohen për COVID dhe të gjithë ata që rezultojnë edhe negativ, por kanë edhe klinikisht bazuar në pasqyrën klinike të ri testohen me PCR dhe tek atëherë të vendosen të sistemohen me pacientët tjerë. Sepse ne nuk dëshirojmë dhe nuk guxojmë të lejojmë që institucionet shëndetësore të na shndërrohen në shpërndarës të COVID-it”, ka deklaruar ajo.
Vetëm gjatë ditës së djeshme, janë konfirmuar me COVID-19 mbi 300 raste në Kosovë.