Sektori publik në Kosovë nga sot ka nisur grevën e përgjithshme. Sindikalistët nuk kanë arritur të bien dakord me Qeverinë e Kosovës rreth kërkesës së tyre për mbështetje prej 100 eurove.
Është raportuar se Ministria e Financave ka kërkuar nga Këshilli Grevist listën e personave që po marrin pjesë në grevë për t’ua ndalur pagën sipas neni 18 të Ligjit për Greva.
Rreth këtij rasti ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen dhe Lirinë e të Drejtave të Njeriut. Në një komunikatë për media mes tjerash thuhet se Kosova po përballet me greva dhe kërcënim për greva shkaku se sindikalistët kanë kërkuar rritje të pagave e që po refuzohet nga qeveria.
“Nga të gjithë segmentet që kanë filluar grevën apo që do të bëjnë grevë së shpejti, arsimi është më i ndjeshmi dhe më kërcënuesi. KMDLNj është deklaruar shumë herë se greva është mjet i skajshëm apo i fundit i një veprimi sindikalist. Në mungesë të vullnetit, në radhë të parë të qeverisë, që përmes dialogut me sindikata të gjejë zgjidhje sipas kërkesës së sindikatave apo, si zgjidhje kalimtare të jetë një marrëveshje e afatizuar, dy palët kundërshtuese janë barikaduar duke mos ofruar asnjë zgjidhje. Madje, këto sindikata janë shpërfillur nga qeveria, janë kërcënuar verbalisht dhe tani po kërcënohen se do të mbesin pa paga nëse bëjnë grevë”, thuhet në komunikatë.
KMDLNj thotë se nëse ky kërcënim nga qeveria jetësohet do të ishte shkelje e rëndë e Ligjit të Punës dhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut për faktin se organizimi dhe veprimi sindikalist është i rregulluar dhe lejohen me ligj. Vetëm shtetet diktatoriale dhe fashiste kanë vepruar kështu ndaj gevistëve.
KMDLNj thërret qeverinë e Kosovës t’i ulë armët e kërcënimit dhe të gjejë një zgjidhje bashkë me sindikatat. KMDLNj fton sindikatat të përpiqen t’i shmangen grevës së përgjithshme deri të shterrje të të gjitha mundësive. KMDLNj përkrahë grevën, si e drejtë ligjore dhe e drejtë e njeriut vetëm kur mbetet mjeti i fundit për realizim të drejtave të tyre.
Pavarësisht kërcënimit të Qeverisë se grevistëve do t’u pezullohen pagat, nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovëskanë deklaruar se tashmë janë në grevë.
Ndërsa kreu i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ka thënë se Qeveria po kërcënon grevistët dhe se kjo është antiligjore. Ai e ka quajtur këtë gabim shumë të madh të Qeverisë.