UBT News

​Këshilltari i Bislimit: Pjesëmarrja e tij në takimin e Tiranës s’ka qenë e planifikuar

Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka mohuar lajmin se Bislimit iu është refuzuar pjesëmarrja në takimin joformal të liderëve të Ballkanit Perendimor, i cili do të mbahet sot në Tiranë, pasi sipas tij, pjesëmarrja në këtë takim nuk ka qenë e planifikuar nga vetë Bislimi.

“Lajmi i djeshëm për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Bislimi në takimin joformal në Tiranë nuk është i vërtetë. Nuk ka qenë i planifikuar e aq më pak i konfirmuar. Meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t’i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij. Prandaj edhe raportimet nga disa media shqiptare në lidhje me refuzimin nuk janë gjë tjetër veçse spekulim dhe duke qenë i tillë veç mund të spekulojmë për origjinën e tij”, ka shkruar ai.

Ndërkohë mediat në Shqipëri raportuan se në takimin e liderëve rajonit në Tiranë nga Qeveria e Kosovës ishte konfirmuar ardhja e zëvendës kryeministrit Besnik Bislimi. Por ky takim i Bislimit me krerët e rajonit nuk do të jetë i mundur për shkak të protokollit.

Mediat atje theksuan se zëvendëskryeministrit të Kosovës i është komunikuar nga organizatorët e takimit se niveli i tij është dytësor dhe jo i përshtatshëm dhe se dosja e takimit do t’i dërgohet me postë të sigurt qeverisë së Kosovës, përkatësisht zyrës së kryeministrit.

Exit mobile version